Mete: Kompanitë publike mund të japin të parat shembullin për të hyrë në Bursë
Hyrja në Bursë e ndërmarrjeve publike mund të jetë një shembull dhe shtysë për të nxitur zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vend.
Në fjalën e tij gjatë konferencës “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, tha se zhvillimi i tregjeve të kapitalit është i rëndësishëm për forcimin e ekonomisë dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Sipas tij, hedhja e hapit të parë nga kompanitë shtetërore mund të jetë një mënyrë për të vendosur në lëvizje tregun e kapitalit.
“Megjithë rëndësinë që ka ky treg, ai karakterizohet ende nga një prezencë e ulët në sistemin financiar shqiptar. Ekosistemi i tregut të kapitaleve ka ende shumë hapësirë për emetues të rinj në anën e ofertës, përtej emetimit të bonove apo obligacioneve shtetërore nga ana e Qeverisë, apo emetimit të obligacioneve me ofertë private. Në këtë drejtim një listim i mundshëm i disa kompanive me kapital shtetëror apo emetimi prej tyre i obligacioneve me ofertë publike do të ishte një shembull i mirë për emetuesit e tjerë korporativë. Gjithashtu, në anën e kërkesës, zhvillimi i mëtejshëm i investitorëve institucionalë, si fondet e investimit, fondet e pensioneve apo kompanitë e sigurimit do t’i jepte më shumë hov zhvillimit të tregut,” tha Mete.
Sipas tij, zhvillimet aktuale gjeopolitike, por edhe situata pandemike e viteve të fundit kanë shtuar edhe më tej nevojën për likuiditet dhe akses në kapital, duke e bërë edhe më të rëndësishëm ekzistencën e një tregu të zhvilluar kapitalesh, mirë-funksionues, eficient dhe të mirërregulluar.
“Një treg i zhvilluar ofron më shumë mundësi investimi si dhe alternativa të reja financimi. Përmes kanalizimit të kursimeve drejt sektorëve produktivë dhe novativë këto tregje nxisin zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht shoqërohen me përfitime që shtrihen në të gjithë ekonominë. Ai ndihmon në diversifikimin e burimeve të financimit, por edhe në zbutjen e ekspozimit të tij ndaj riskut sistemik, duke qenë se risku nuk përqendrohet më i tëri tek sistemi bankar. Në këtë kuptim, zhvillimi i këtij tregu, krahas sistemit bankar, është një vlerë e shtuar për transformimin dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit financiar shqiptar, prandaj tregjet e kapitalit duhen konsideruar si plotësues të sistemit bankar dhe jo zëvendësues të tij, duke qënë se së bashku ata përbëjnë një model optimal të financimit të ekonomisë. Për këtë arsye, vlerësohet se një sistem bankar solid së bashku me tregje të diversifikuara të kapitalit janë rrugët kryesore të frymëmarrjes për ekzistencën e një sistemi të shëndetshëm financiar,” tha ai.
Mete shtoi se me lëvizjen e lirë të kapitalit dhe ndërveprimin me tregjet e huaja, tregu shqiptar i kapitaleve mund dhe duhet të bëhet tërheqës edhe për investime në tituj nga investitorë jashtë vendit, përfshirë këtu edhe thithjen e investimeve nga diaspora shqiptare.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO), organizoi sot konferencën ndërkombëtare “Diversifikimi i sistemit financiar përmes reformave të tregut të kapitaleve”.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria shqiptare, mbikëqyrësit financiarë, si edhe institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare. Qëllimi i aktivitetit ishte ngritja e një platforme dialogu mes institucioneve financiare në vend, institucioneve financiare ndërkombëtare, rregullatorëve nga vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, si edhe aktorëve të tregut, për të shtuar përpjekjet e përbashkëta për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri./monitor
Fraksion.com