Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar rritet në 9,0 përqind
Arsyeja kryesore e rritjes së inflacionit në Britaninë e Madhe janë çmimet e energjisë. Në Gjermani, inflacioni është 7,4 përqind ndërsa në Britaninë e Madhe është edhe më i lartë.
Politikanja konservatore foli për probleme shumë serioze në çështjen e rritjes së çmimeve, ndërsa inflacionin në Britaninë e Madhe e quajti jashtëzakonisht të lartë. Banka e Anglisë pret që inflacioni të arrijë në 10% gjatë vitit.
Energjia dhe ushqimi janë shtytës të çmimeve
Energjia e shtrenjtë dhe rritja e çmimeve të ushqimit po e nxisin në veçanti inflacionin. Sipas një sondazhi të institutit Ipsos, rritja e shpejtë e kostos së jetesës po godet rëndë qytetarët e ishullit, sepse dy në tre britanikë po e fikin ngrohjen për të kursyer shpenzimet. Madje më shumë se një e katërta e të anketuarve thonë se i anashkalojnë vaktet e ushqimit gjatë ditës, për shkak të buxheteve të tyre të ngushta.
Kjo situatë po bën që të rritet pakënaqësia e popullatës me qeverinë e kryeministrit konservator, Boris Johnson. Në një anketë të institutit YouGov, 72 përqind e britanikëve thanë, se qeveria po e menaxhon keq ekonominë. Në të njëjtën kohë, thirrjet po bëhen gjithnjë e më të forta për rritjen e asistencës sociale në mënyrë që të lehtësohen shtresat më të varfra të popullsisë për shkak të rritjes së shpejtë të kostos së jetesës.
Ministri i Financave flet për “problem mbarëbotëror”
Ministri i Financave Rishi Sunak thotë se inflacioni i lartë është një problem global. Qeveria nuk mund t’i mbrojë plotësisht qytetarët nga rreziqet. Ajo bën atë që mundet dhe është e gatshme të bëjë më shumë.
Me 3,7 përqind, papunësia ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1974. Por fuqia blerëse po zvogëlohet, pasi rritja e pagave nuk është aspak afër kompensimit të kostos më të lartë të jetesës. Ndërkohë ka shenja se inflacioni do të vazhdojë të rritet në vendin që është shkëputur nga BE-ja. Në prill, çmimet në disa fabrika u rritën me 14 përqind krahasuar me një vit më parë – që është rritja më e madhe që nga korriku 2008.
Banka Qendrore në Londër tashmë po lufton inflacionin në rritje, duke rritur normat e interesit. Ajo ka rritur për herë të katërt normat brenda gjashtë muajve, ajo rriti normën bazë të interesit me 0,25 pikë në 1 për qind në fillim të muajit. Normat bazë të interesit nuk kanë qenë kaq të larta në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2009./dw
Fraksion.com