Rama: 146 milionë euro nga programi IPARD 3, moment i rëndësishëm drejt rilindjes së Bujqësisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se financimi me 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare nga BE përmes programit IPARD 3 është një moment mjaft i rëndësishëm në rrugën e rilindjes së bujqësisë.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të programit IPARD 3 në Shqipëri që do të financojë 146 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale shqiptare, Rama u shpreh se, “është një moment mjaft i rëndësishëm në rrugën e rilindjes së bujqësisë, aprovimi i një tjetër shume të konsiderueshme financimi nga BE për Shqipërinë, shumë e cila është më shumë se 50% më e lartë sesa shuma e financimit për pjesën që së bashku kemi mundur të vëmë në punë”.
“Me këtë financim të tretë masiv të BE-së hapet një rrugë edhe më e gjerë për të gjithë ata që do të ndjekin shembullin tuaj fantastik dhe natyrisht për të gjithë ju që do të doni të zhvilloni më tutje sipërmarrjen tuaj”, theksoi Rama.
“Kjo që po ndodh është një risi e jashtëzakonshme në jetën rurale të vendit tonë, e cila u vonua në fakt për shumë e shumë vite. Dhe unë dua këtu të bëj një vlerësim të veçantë për Fridën e cila i vlerësoi të gjithë të tjerët me të drejtë, kështu që më takon të bëj këtë vlerësim jo formalisht, por sepse është merita e saj që e transformoi AZHBR-në në një makineri të vërtetë financimi përmes arritjes së akreditimit të Agjencisë nga BE që ishte pjesa më e vështirë”, tha Rama.
“Dhe fakti është që nën lidershipin e Fridës AZHBR u kthye nga problemi në zgjidhjen për shumë çështje të mprehta të sektorit, ku deri kur ne morëm detyrën pikat e grumbullimit numëroheshin me gishtat e dorës. Për të mos folur për standardet të cilat garantoheshin me përpjekje të mëdha me aq sa ishin mundësitë nga grumbulluesit. Dhe ndërkohë agropërpunimi ishte në belbëzim me disa realitete sporadike tek- tuk por gjithnjë me njerëz të punës që ishin totalisht të braktisur nga shteti”, u shpreh Rama.
Sot, theksoi kreu i qeverisë, “realiteti është krejt ndryshe, jo në sensin që ne jemi aty ku duhet të jemi, por në sensin që është hapur rruga e duhur tani për të gjithë ata që duan të vrapojnë më shpejt”.
“Ju jeni ndër ata që kanë vrapuar më shpejt dhe për këtë arsye përfaqësoni këtu realitete të prekshme të një transformimi konkret. Dhe jeni shembulli për fjalët që themi ne, lidhur me sesi mund të bëhet sukses në bujqësi nuk janë dëshira po janë fjalë që kanë mbështetje në fakte. Kur ne flasim për potencialin e agroturizmit nuk është më një e folur që bazohet me çfarë kemi menduar duke bërë analizat tona. As një e folur që bazohet sesi dëshirojmë ne që të jetë realiteti i njerëzve që kanë prona, kanë shtëpitë e gjyshërve të tyre në zona, ku është shumë e vështirë të krijosh kushte për një prodhim intensiv, apo në zona ku infrastruktura e bën tejet të kushtueshme nxjerrjen e produktit në treg, ndërkohë që pikërisht aty mund të ndërtohet një sipërmarrje, e cila bën sukses”, theksoi Kryeministri Rama.
“Pikërisht aty mund të investohen kursimet e punës në emigracion dhe të fitohet 2-fish, 3-fish, 5-fish më shumë sesa fitohet nga puna në emigracion. Sepse dihet botërisht që turizmi është eksport. Dhe nuk është ofruesi i shërbimit apo i produktit që shkon tek konsumatori, por është konsumatori që vjen tek ofruesi i shërbimit dhe kërkon produktin”, u shpreh Rama.
“Sot realiteti i agroturizmit, i cili është ende në një fazë të parë flet vetë. Realiteti i një numri të konsiderueshëm në raport me numrin zero që kishim kur e nisëm këtë punë, familjesh të cilat bëjnë sukses. Flet vetë edhe kjo situatë këtu ku jemi jo rastësisht të mbledhur, sepse ja çfarë është bërë në një zonë ku ka prodhim, në një zonë ku ka njerëz të punës, në një zonë ku ka fermerë të cilët gdhihen dhe ngrysen duke u kujdesur për tokën, por ku deri dje kishte probleme nga fillimi deri në fund për të arritur për të marrë mbrapsht nga gjithë djersa e kulluar mbi tokën vlerën e arsyeshme të punës”, u shpreh Rama.
“Sot nuk është më fermeri që duhet të dalë në rrugë dhe të shesë prodhimet. Sot është grumbulluesi këtu që 500-600 fermerë në këtë rast i ka kontraktuar me marrëveshje për t’u marrë prodhimin dhe për t’u kujdesur ai për shitjen. Ndërkohë që fermerët punojnë të qetë se e kanë prodhimin e tyre të shitur paraprakisht”, theksoi Rama.
“Flet shumëkush për bujqësinë që po vdes, për bujqësinë që s’merr dot më frymë. Për bujqësinë që nuk ka më asnjë perspektivë. Për fshatin që po braktiset përfundimisht dhe s’ka kush të punojë tokën. Dhe flasin njerëz që me fshatin s’kanë asnjë lidhje, ose njerëz që mund të jenë të lidhur me fshatin por nuk duan të kuptojnë se rruga e bërjes sukses ka ndryshuar tërësisht. Nuk është më rruga e vjetër e të punuarit vetëm, e të dalit vetëm në treg dhe e të fituarit vetëm. Nuk funksionon më, duhet bashkim forcash, ku secili ka pjesën e vet për atë pjesë të procesit që i takon atij. Jo bashkim forcash si dikur, por bashkim forcash, ku tjetërkush e punon tokën, tjetërkush e ofron farën dhe fidanin dhe mënyrën si trajtohet. Tjetërkush e bën grumbullimin dhe pastaj të gjithë bashkë bëjnë shitjen”, tha Rama.