AktualitetPolitikëTë fundit

Çela: Prokuroria, 11 procedime penale në SPAK vetëm për vepra të korrupsionit

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi sot në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian i cili zhvilloi takimin me temë: “Ecuria në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”.

Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela tha se prokuroria ka vijuar zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.

“Në këtë kuadër, Prokuroria e Përgjithshme u ka rekomanduar prokurorëve të shkallës së parë dhe apelit për rolin aktiv të prokurorit në hetimet paraprake si dhe kryerjen e hetimeve proaktive për rritjen e efektivitetit kundër korrupsionit. Për vitin 2021 prokurorët kanë rritur hetimin proaktiv kundër korrupsionit me mjete të posaçme me 59 procedime penale për vepra penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën. Ky proces i ka shërbyer si parandalimit ashtu dhe finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 40 personave të dyshuar për vepra penale në kompetencë të prokurorisë”, tha ai.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, Çela se prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm ka transferuar 11 procedime penale në SPAK vetëm për veprat penale të korrupsionit.

“Janë regjistruar 100 procedime dhe 55 pandehur janë dërguar për gjykim ose krahasuar me një vit më parë kemi një rritje me 3 herë të numrit të procedimeve të regjistruara si dhe janë dënuar 19 të pandehur të veprave penale. Korrupsioni aktiv për persona që ushtrojnë funksione publike janë regjistruar 66 procedimeve penale ndaj 9 të tillave në vitin 2020”, tha ai.

Çela foli për veprat penale të pastrimit të parave.

“Për veprat penale të parashikuara nga nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal, janë regjistruar 301 procedime penale të reja me 56 të pandehur, dhe 18 procedime me 33 të pandehur u dërguan për gjykim, si dhe 21 persona janë dënuar. Këto tregues evidentojnë një rritje prej 7.01 % të procedimeve të regjistruara dhe një rritje prej 31.25 % të personave të dënuar për këto dy vepra të pastrimit të parave”, tha Çela.

 

Fraksion.com