Sondazh: Inflacioni shqetësimi më i madh i gjermanëve
Rritja e shpejtë e çmimeve po i shqetëson konsumatorët më tepër se lufta në Ukrainë apo Covid-19. Pothuajse një në tre vetë ka frikë se do t’i duhet të kufizojë stilin e jetës.
Rreth 40 për qind e më shumë se 1000 të anketuarve thanë se shqetësimi i tyre më i madh është aktualisht inflacioni. 34 përqind e të anketuarve thanë si shkak pushtimin e Ukrainës dhe vetëm tetë përqind pandeminë COVID-19. Pothuajse një e treta e të anketuarve (29 përqind) kanë frikë se për shkak të rritjes së çmimeve do t’u duhet të bëjnë kufizime në stilin e tyre të jetesës. Frika nga inflacioni është veçanërisht e theksuar tek njerëzit me të ardhura të ulëta. Dy të tretat e të anketuarve supozojnë se gjatë 12 muajve të ardhshëm çmimet do të vazhdojnë të rriten.
“Dy vitet e pandemisë së koronës kanë lënë gjurmë. Por inflacioni dhe pushtimi i Ukrainës po i bëjnë njerëzit më pesimistë se kurrë më parë,” tha përmbledhtazi për rezultatet e sondazhit eksperti i McKinsey, Marcus Jacob. Njerëzit po i ndjejnë çmimet më të larta dhe shohin se në portofolin e tyre u mbetet më pak në fund të muajit. Po ashtu edhe ata që kanë të ardhura të larta po i kufizojnë shpenzimet.
Sipas sondazhit, dy të tretat e të anketuarve kanë shpenzuar kohët e fundit më shumë para për ushqime, 61 për qind më shumë për benzinë dhe kosto transporti, si dhe për energjinë. Rezultati i sondazhit: thuajse një ndër çdo treti vetë e ka reduktuar konsumin e tij në fusha të tilla si në shpenzimet për kozmetikë, veshje, argëtim dhe udhëtime./dw
Fraksion.com