AktualitetNATO/BETë fundit

Presidenti Biden do të presë udhëheqësit e Suedisë dhe Finlandës në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Joe Biden do të presë kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ndërsa vendet nordike ndërmarrin hapa për t’u anëtarësuar në NATO në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit do të diskutojnë për kërkesat e dy vendeve për të hyrë në aleancë, si edhe për sigurinë evropiane në përgjithësi. Kërkesat për anëtarësim të këtyre vendeve që kanë ruajtur një status neutral për dekada, janë vlerësuar gjerësisht brenda aleancës si reagim ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës.

Suedia nënshkroi të martën kërkesën zyrtare për t’u bashkuar me NATO-n, një ditë pasi njoftoi se do të kërkonte anëtarësimin në aleancën ushtarake prej 30 anëtarësh. Në Finlandën fqinje, ligjvënësit miratuan me shumicë dërrmuese vendimin e qeverisë për të kërkuar anëtarësim.

Miratimi i ligjvënësve nuk ishte i detyrueshëm, por presidenti Niniisto dhe kryeministrja Sanna Marin theksuan se ishte e rëndësishme që Parlamenti të shprehej për kërkesën për anëtarësim, që kreu i shtetit finlandez e quajti “historike”.

Të dyja venedet pritet të dorëzojnë kërkesën zyrtare në selinë e NATO-s brenda disa ditësh.

Një pengesë në këtë proces po paraqet Turqia, e cila befasoi aleatët e saj të NATO-s javën e kaluar, kur tha se nuk do t’i shihte kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në dritë pozitive, duke përmendur si argument kryesor faktin, që sipas saj, ato u japin strehim anëtarëve të grupeve, që Ankaraja i konsideron si terroriste.

Në një konferencë shtypi të hënën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se tha se Turqia nuk do të miratojë aplikimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, duke e quajtur Suedinë një “inkubator” për organizatat terroriste dhe duke shtuar se ata kanë terroristë në parlamentin e tyre.

Ai tha se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet ta marrin mundimin të shkojnë në Ankara për ta bindur atë që të miratojë kërkesën e tyre për anëtarësim.

Ministria e jashtme suedeze kishte thënë më herët të hënën se përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të udhëtojnë në Turqi për bisedime për të diskutuar mbi kundërshtimet e Ankarasë

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mesa kupton ai, Turqia do që t’i diskutojë shqetësimet e saj lidhur me Finlandën dhe Suedinë, por nuk ka ndërmend të bllokojë anëtarësimin e tyre.

Gjithsesi qëndrimi i Turqisë ka çuar në shqetësime në Uashington dhe Bruksel, se anëtarë të tjerë të NATO-s, mund të përdorin gjithashtu procesin e pranimit si një mënyrë për të marrë lëshime nga aleatët, duke e ndërlikuar dhe vonuar ndoshta pranimin.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha të martën se administrata është “shumë e sigurt” se do të arrihet një marrëveshje që të dyja vendet t’i bashkohen aleancës.

 

Fraksion.com