“Nuk duhet të harrohet kurrë 17 maji”, Meta: Politikë e mirëstrukturuar për të zhbërë dinjitetin kombëtar, bllokuar integrimin dhe shpopulluar vendin
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur sot për marrëveshjen e 17 majit 2017 mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të PD-së Lulzim Basha. Ai tha se kjo marrëveshje ishte pjesë e një politike të mirëstrukturuar për të zhbërë dinjitetin kombëtar.
Duke vënë në themel të bllokimit të integrimit dhe shpopullimit pikërisht këtë bashkëpunim, Meta bëri thirrje të mos harrohet kurrë 17 maji dhe u shpreh i sigurt se 17 maji i ardhshëm do jetë diçka tjetër.
“Po kështu shembja e teatrit Kombëtar 3 vite pas marrëveshjes dhe pikërisht më 17 maj ishte pjesë e një bashkëpunimi të qartë dhe tashmë është pjesë e një politike të mirëstrukturuar për të zhbërë dinjitetin kombëtar.
Gjithashtu shitja e zgjedhjeve të 25 prillit te pushteti, madje duke prishur në heshtje marrëveshjen e hapur të 5 qershorit pa dyshim ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë. Ishte pjesë e kësaj marrëveshje bojkoti i reformës në drejtësi që bëri ajo lloj opozite që lehtësoi kapjen e drejtësisë së re nga gryka nga qeveria aktuale. Pasojat janë të njohura, bllokimi i integrimit europian dhe shpopullimi më i rëndë, dramatik i vendit.
Shumica e familjeve shqiptare i dinë dhe i ndiejnë kostot e kësaj marrëveshjeje çdo ditë në jetën e tyre. Ndihen jo vetëm të nëpërkëmbur, të shpërfillur nga arroganca e pushtetit dhe të pambrojtur nga opozita e facebook-eve. Nuk duhet të harrohet kurrë 17 maji se jam i sigurt se 17 maji i ardhshëm do jetë diçka tjetër se nuk do harrojmë atë marrëveshje të turpshme që ndodhi në errësirë 5 vite më parë kundër demokracisë, kundër të drejtave më bazike të qytetarëve shqiptare. Në 5 vite përfituan një grup oligarkësh. U dërrmua familja e thjeshtë shqiptare, shtresa e mesme që është varfëruar dhe ajo më e varfra që është dërrmuar fare”, deklaroi Meta.
Fraksion.com