AktualitetBota+RajoniTë fundit

FRONTEX: Rruga e Ballkanit Perëndimor, më aktivja për kalimet e paligjshme të migrantëve

Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve FRONTEX tha se në katër muajt e parë të vitit 2022, rruga më aktive e migracionit të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian ishte “Rruga e Ballkanit Perëndimor” ku përfshihet edhe Shqipëria.

Sipas raportit më të fundit të FRONTEX “Rruga e Ballkanit Perëndimor përbën gati gjysmën e të gjitha kalimeve të paligjshme kufitare drejt Bashkimit Europian me rreth 27 mijë kalime, 130% më shumë se viti i kaluar.

Sipas raportit kombësitë kryesore të migrantëve në këtë rrugë përfshinin shtetasit sirianë dhe afganë.

Edhe raportet e policisë kufitare shqiptare flaisn për këtë periudhë për një rritje të depërtimit të migrantëve të paligjshëm, kryesisht nga kufiri grek, me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri dhe me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Rritja e kalimit të migrantëve është shoqëruar me rritje të rasteve të kontrabandimit të tyre nga rrjetet kriminale disa prej të cilave janë goditur nga policia shqiptare sidomos në rajonin kufitar të Gjirokastrës me Greqinë.

Janarin e këtij viti Prokuroria e Psosaçme shqiptare (SPAK) urdhëroi në Shqipëri arrestimin e 25 personave të përfshirë në kontrabandimin e rreth 1200 migranëtve nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në Itali.

Ndërkohë, sipas raportit të fundit të FRONTEX, numri i përgjithshëm i migrantëve të paligjshëm në periudhën janar- prill të këtij viti që përfshijnë krahas Rrugës Ballkanike edhe Rrugët e Mesdheut Lindor dhe Qëndror ishte 57. 800 persona, rreth 69% më shumë se në katër muajt e parë të vitit të kaluar.

Frontex tha se “ka më shumë se dy mijë oficerë dhe staf të trupave të përhershme në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian, si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi”.

Sipas FRONTEX refugjatët që ikin nga Ukraina dhe hyjnë në Bashkimin Evropian përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të gjetura.

Sipas të dhënave të fundit të Frontex, më shumë se 5.9 milionë persona kanë hyrë në Bashkimin Europian nga Ukraina dhe Moldavia që nga fillimi i sulmit rus në shkurt të këtij viti./voa

 

Fraksion.com