AktualitetRajoniTë fundit

Borrell – Serbisë: Lidhjet e ngushta me regjimin e Putinit, nuk janë në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, ndërsa tërhoqi vërejtjen se ruajtja e lidhjeve me presidentin rus nuk përshtatet me ndërtimin e ardhmërisë evropiane.

Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në të cilin morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Zoti Borrell tha se ministrat e BE-së mirëpritën dhe vlerësuam veprimet e atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë për shkak të sulmit të saj mbi Ukrainën.

Ministrat shprehën pritshmërinë e tyre të qartë ndaj partnerëve, si shtete të ardhshme anëtare, për t’u përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe politikës së jashtme evropiane. Ata që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë dhe Serbia është një prej tyre, duhet, sa më shpejt që të munden, të zbatojnë sanksione”, tha ai.

Zoti Borrell tha se është e qartë se “të mbash lidhje të ngushta me regjimin e (Vladimir) Putinit, nuk është më në përputhje me ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët me Bashkimin Evropian. Të dyja gjërat në të njëjtën kohë nuk janë të pajtueshme. Të qenit neutral sot, në lidhje me luftën e Ukrainës, është një koncept i rremë. Një vend ka pushtuar një vend tjetër dhe t’i vësh në të njëjtën peshojë dhe të mos arrish të bësh dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit, dhe kjo nuk është e mundur. Ju nuk mund të shikoni në anën tjetër. E thashë në Parlamentin Evropian, në fillim të luftës dhe e përsërita sot. Sigurisht, ne mund ta kuptojmë se ka kufizime, ka vështirësi, ka opinione publike – çfarë të doni. Por është e qartë se ka gjëra që janë të papajtueshme”.

Ai përmendi faktin se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë vepruar në një vijë me Bashkimin Evropian madhe edhe Kosova e cila tha ai “nuk ishte e detyruar ta bëjë këtë, sepse nuk njihet as nga disa shtete anëtare”.

Zoti Borrell tha se përgjatë diskutimeve është theksuar se Bashkimi Evropian duhet të fillojë menjëherë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke shfaqur shpresën që kjo të ndodhë gjatë kohës së Franca kryeson BE-në deri në fillim të muajit korrik.

Të gjithë e shohim se kjo vonesë është e paqëndrueshme. Ne nuk mund t’u kërkojmë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përmbushën të gjitha kushtet, të presin dhe të qëndrojnë të lidhura me njëra-tjetrën nëse nuk u ofrojmë një perspektivë të qartë. Kjo situatë nuk po i dëmton vetëm ata, po na dëmton neve. Po na kushton shumë neve dhe rajonit në aspektin e besueshmërisë dhe perspektivës politike. Është një dhuratë për Rusinë”, tha ai.

Zoti Borrell shfaqi shpresën që një takim i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mbahet para verës, ndërsa ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./voa

 

Fraksion.com