AktualitetPolitikëTë fundit

Balla-Barsacq: Konferenca e parë ndërqeveritare, impuls në procesin e integrimit evropian

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Ambasadoren e Francës, Elisabeth Barsacq.

Balla i shprehu ambasadores Barsaq mirënjohjen ndaj Francës për mbështetjen ndaj procesit të zgjerimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëndrimin pozitiv të Presidentit Emmanuel Macron për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të imponuara tashmë nga konteksti gjeopolitik dhe agresioni rus kundër Ukrainës.

“Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së është një angazhim i rëndësishëm i cili do t’i japë impulsin e nevojshëm procesit të integrimit evropian”, tha Balla.

Balla shprehu mirënjohjen për marrëveshjen e arritur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për një mbështetje financiare të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore e cila kaloi në Kuvendin e Shqipërisë vetëm pak ditë më parë.
Po ashtu gjatë takimit Balla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis parlamenteve tona në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe shkëmbimit të eksperiencave.
Fraksion.com