AktualitetTë fundit

Infermieri dhe pacientja mbetën të bllokuar në ashensorin e QSUT, shoqërohet në komisariat tekniku i mjetit lëvizës

Mbrëmjen e së dielës si pasojë e një defekti në ashensorin e Spitalit QSUT kanë mbetur të bllokuar barrelateristi dhe një paciente.

Mësohet se për pasojë ata kanë mbetur të lënduar dhe aktualisht, ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen, policia ka shoqëruar në komisariat teknikun e ashensorit. Shoqërimi i tij, mësohet se është bërë për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Nga ana tjetër, QSUT me anë të një reagimi ka pranuar ngjarjen dhe ka thënë se menjëherë, stafi mjekësor u ka dhënë ndihmën e parë të lënduarve.

Ngjarja

Midis katit -1 dhe 1 ashensori pësoi defekt dhe u hap duke lënduar të dy personat brenda në të.

Dëmtimet me serioze i ka marrë 80-vjeçarja, ndërsa infermieri ka marrë lëndime në këmbë. Pas ngjarjes, 80-vjeçarja iu nënshtrua një operacioni. E moshuara  ka marrë dëmtime në kokë dhe është dërguar për mjekim më të specializuar tek Spitali i Traumës.

Në Komisariatin nr. 4 të Policisë është shoqëruar tekniku i ashensorit që është kontraktuar nga QSUT për mirëmbajtje dhe kolaudim.

Paraprakisht dyshohet se ashensorit i është këputur një prej javove dhe është rrëzuar mes kateve.

Reagimi i plotë i QSUT

Qendra Spitalore Universitare informon se gjatë mbrëmjes së djeshme, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, gjatë transportit të një pacienteje për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike, ka ndodhur një incident në një prej ashensorëve.
Pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori, pati lëndime, së bashku me barrelambajtësin, si pasojë e një defekti të ashensorit.
Infermieri dhe stafi mjekësor i kanë dhënë menjëherë ndihmën e nevojshme nevojshme pacientes dhe barrelambajtësit.
Më pas pacientja u konsultua nga specialistët për këtë lëndim, si dhe vijoi konsultat dhe ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare, diagnozë për të cilën është në mbikqyrjen e ekipit mjekësor.
QSUT informon se, të gjithë ashensorët janë në një sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar për shërbimin e mirëmbajtjes, të cilat kryhen periodikisht, sipas kontratës në fuqi. Pritet ekspertiza e mëtejshme për të vlerësuar shkakun e këtij incidenti.

 

Fraksion.com