Putin: Do të ishte “gabim” që Finlanda të hynte në NATO
Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij finlandez, Sauli Niinisto se do të ishte “gabim” që Finlanda të anëtarësohej në NATO, sipas një deklarate nga Kremlini.
Dy udhëheqësit biseduan të shtunën lidhur me dëshirën e vendit nordik për t’u bashkuar me NATO-n në një telefonatë nismën për të cilën e mori Finlanda, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e presidentit Niinisto.
“Biseda ishte e drejtpërdrejtë dhe e qetë. Shmangia e tensioneve u konsiderua e rëndësishme,” tha presidenti Niinisto sipas një deklarate nga zyra e tij.
Kremlini tha në një deklaratë pas telefonatës se presidenti Putin i tha presidentit Niinisto se heqja dorë nga politika e neutralitetit e Finlandës do të kishte një ndikim negativ në marrëdhëniet ruso-finlandeze.
Zoti Niinisto dhe kryeministrja finlandeze Sanna Marin thanë të enjten se duan që vendi i tyre të anëtarësohet në NATO “pa vonesë”, një lëvizje që do të përbënte një ndryshim të madh të politikës për vendin tradicionalisht neutral në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Suedia, një tjetër vend tradicionalisht neutral skandinav, pritet gjithashtu të kërkojë të bashkohet me NATO-n në ditët në vijim.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se vendi i tij nuk e mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO-s, duke thënë se në ato vende ka “shumë organizata terroriste“.
Të shtunën një këshilltar i zotit Erdogan për politikën e jashtme tha se Turqia nuk i ka mbyllur derën për anëtarësim Suedisë dhe Finlandës, por kërkon negociata me vendet nordike si edhe një shtypje të atyre që i sheh si aktivitete terroriste veçanërisht në Stokholm.
“Ne nuk po e mbyllim derën. Por në thelb po e ngremë këtë çështje si çështje të sigurisë kombëtare për Turqinë,” i tha agjencisë Reuters këshilltari Ibrahim Kalin, i cili është edhe zëdhënës i presidentit turk.
Fraksion.com