AktualitetTë fundit

Dështon atentati në Lezhë; Qëllohet me breshëri mjeti në lëvizje, 2 të rinjtë…

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lezhë.

Dy të rinjtë, Blerim dhe Klisman Preçi, i kanë shpëtuar mrekullisht mbrëmjen e sotme një atentati me breshëri plumbash që u zbraz në mjetin që po udhëtonin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në dalje të qytetit të Lezhës, kur autorët që ishin në një makinë në lëvizje, që sipas dëshmive të siguruara nga gazetari Elidon Ndreka ishte tip Audi ngjyrë e zezë, kanë qëlluar me automatik mbi makinën që drejtohej nga 28-vjeçari Blerim Preçi.

Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa mjeti tip “ML” i të riut, pas të shtënave ka dalë nga rruga.

Gazetari Igli Çelmeta, raportoi për BalkanWeb, se autorët i janë afruar makinë se të riut nga Miloti, Blerim Preçit, duke dalë paralel dhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Më pas shoferi i “ML” ka ulur shpejtësinë dhe për t’i shpëtuar plumbave, është hedhur nga mjeti që ende ishte në lëvizje.

Për fat të mirë, të dy të rinjtë që ndodheshin në këtë mjet kanë shpëtuar pa lëndime.

Siç shihet në këto pamjet të siguruara nga News24 dhe BalkanWeb pak pas ngjarjes, dy të rinjtë kanë dalë nga mjeti në gjendje shoku.

Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka bllokuar autostradën, duke devijuar trafikun në rrugë dytësore, si dhe janë ngritur postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit të Lezhës me qëllim krehjen e zonës dhe kapjen e autorëve.

Në afërsi të vendngjarjes mësohet se ndodhet një lokal, por kamerat e tij nuk shohin nga rruga, duke mos i dhënë dot ndihmë policisë për të zbardhur ngjarjen më shpejt.

 

Fraksion.com