Spanja lejon deri në tre ditë pushim në punë për gratë me dhimbje menstruacionesh
Gratë që vuajnë nga dhimbje të forta menstruale do të lejohen të marrin pushim nga puna deri në tre ditë çdo muaj, sipas një plani reformash që do të miratohet nga qeveria e Spanjës javën e ardhshme.
Sipas Shoqatës Spanjolle të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, rreth një e treta e grave që kanë menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea, me proporcion në rritje nëse llogaritet edhe dhimbja para menstruacioneve.
“Nëse dikush ka një sëmundje me simptoma të tilla i jepet një paaftësi e përkohshme për punë, kështu që e njëjta gjë duhet të ndodhë me menstruacionet – duke lejuar një grua me menstruacione shumë të dhimbshme të qëndrojë në shtëpi,” tha Angela Rodriguez, sekretarja e shtetit për barazinë për gazetën El Periodico.
Projekt-ligji përfshin reforma të tjera, si kërkesa që shkollat të sigurojnë peceta higjienike për vajzat që kanë nevojë për to, duke i bërë tamponët pa pagesë. Kjo do të jetë një ndihmesë e madhe për gratë në rrethana sociale të margjinalizuara. U realizua dhe heqja e TVSH-së nga çmimi i shitjes për pecetat dhe temponët një kërkesë e cila është kërkuar për një kohë të gjatë nga gratë në Spanjë.
Për më tepër, qeveria e krahut të majtë të Spanjës po planifikon ta bëjë abortin më gjerësisht të disponueshëm duke hequr kërkesën për lejen e prindërve për 16 dhe 17-vjeçaret si dhe duke garantuar aksesin e abortit në spitalet publike. Edhe pse çështja mbetet përçarëse për shumicën katolike të Spanjës, parlamenti i vendit kohët e fundit e konsideroi një vepër penale ngacmimin apo frikësimin e grave me qëllim të pengimit të së drejtës së tyre për abort. Shkak për këtë vendim ishin dhe protestat e shpeshta jashtë klinikave të abortit.
Fraksion.com