Shpresa për arritjen e marrëveshjes për targat në Bruksel
Vizita zyrtare në Berlin e kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë ka rritur shpresat për marrëveshjen e targave të automjeteve. Përfaqësues nga Kosova e Serbia takohen për këtë më 13 maj në Bruksel.
Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 13 maj delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel, ku pritet edhe të nënshkruhet marrëveshja për targat, ndonëse jo e konfirmuar akoma. Ky optimizëm në Prishtinë e Beograd, u rrit pas vizitës zyrtare në Gjermani dhe takimit me kancelarin, Olaf Scholz, të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku pasoi edhe një darkë joformale me të dërguarin e BE-së në dialog Mirosllav Lajçak.
Kurti: Shpresoj përfundimisht t’i kemi marrëveshjet
Në takimin e 13 majit sipas kryeministrit të Kosovës, marrin pjesë dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga pala kosovare dhe Petkoviq nga pala serbe. “E kemi theksuar tash e shumë vite, se nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një ndër parimet e dialogut është barazia e palëve. Në atë darkë nuk kemi pasur gjellë të ndryshme, pra ka pasur barazi të palëve dhe i kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit midis kryenegociatorëve. Më 13 maj, unë shpresoj se përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhjen reciproke për targat e automjeteve, çështjes së mos pagesës së energjisë në veri të Kosovës dhe po ashtu nevojës për përshpejtim të çështjes së zbardhjes së fatit të pagjeturve”, tha kryeministri Kurti, gjatë një takimi që pati në Prishtinë me ministren gjermane të Mbrojtjes Christine Lambrecht.
Edhe kjo e fundit u shpreh optimiste që me datën 13 maj Kosova dhe Serbia do të arrijnë disa marrëveshje. “Shpresoj që ky proces të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, tha Lambrecht.
Për këto çështje, kryeministri kosovar tha se bisedoi në Berlin edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në darkën joformale që e kishte organizuar kancelari gjerman, Olaf Scholz që nuk mori pjesë në të, por që i pranishëm ishte i dërguari i BE-së në dialog Mirosllav Lajçak.
Edhe Vuçiq optimist për takimin e 13 majit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij, ka thënë se darka joformale në Berlin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ishte shumë e vështirë. E për vizitën në Berlin, Vuçiq tha se “përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo çka është firmosur në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet”. Megjithatë edhe Vuçiq, është optimist për takimin e 13 majit. “Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviç, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq, sipas RTS.
Që nga fillimi i tetorit të vitit të shkuar, Kosova dhe Serbia kanë filluar të zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës, automjetet e dy vendeve janë të detyruara të vendosin letër ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditë trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.
Fraksion.com