AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ndryshojmë menjëherë kurs nëse nuk hapen negociatat

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt, teksa vendi ynë konsiderohet një model për rajonin.

Në një intervistë të dhënë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, i pyetur në lidhje me sinjalet që mori nga takimi i mbrëmshëm me Borrell, sa i takon një vendimmarrjeje të mundshme në 6 qershor për Shqipërinë, Rama u shpreh se, “tani situata dihet dhe të përsërisim atë që vazhdon të përsëritet mbase nuk ia vlen. Megjithatë, po e përsërisim që është shumë e qartë që për Shqipërinë opinioni është tejet pozitiv, ne presim një tjetër raport-progresi dhe jemi të bindur që do jetë edhe më pozitiv për shkak se shumë gjëra kanë ndodhur dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur. Imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt. Shqipëria konsiderohet një model për rajonin, jo vetëm këtu, por dhe në Hagë është shumë e qartë kjo gjë”.

“Megjithatë, dje biseda është përqendruar tek situata social-ekonomike, si rezultat i pasojave të luftës dhe për hir të vërtetës, nëse do kishim mundur ta ndanim me opinionin publik në Shqipëri atë bisedë, do kishim dëgjuar vërtetë situata shumë më problematike sesa situata jonë, në aspektin e qëndrueshmërisë financiare,  në aspektin e financimit të mëtejshëm të ekonomisë, në aspektin e inflacionit e kështu me radhë”, theksoi Rama.

“Sa i përket pjesës tjetër, ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë e Veriut dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata”, vijoi Rama.

I pyetur nëse do të asistojë apo ndihmojë Bashkimi Evropian, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke patur parasysh zhvillimet dhe pasojat që mund të vijnë nga lufta Rusi-Ukrainë, dhe në çfarë forme, Rama u shpreh se, “Bashkimi Evropian është një makineri e rëndë dhe e madhe, që edhe kur ka kthesa për të marrë, i merr shumë ngadalë, por ne kemi, prej disa kohësh, punuar me disa kryeqytete, duke bërë disa propozime tonat sepse ka edhe një vullnet të ri për të dëgjuar nga ne dhe kur them nga ne nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por edhe vendet të tjera, por edhe duke pasur parasysh faktin që ne tani kemi garantuar një akses të drejtpërdrejtë me kancelarinë kryesore dhe kemi një dialog të vazhdueshëm, pra nuk jemi më në kohën kur një bisedë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Kancelarit apo Presidentit të Francës ishte një ngjarje e madhe për të cilën flitej në televizor, bëheshin njoftime për shtyp. Sot këto janë rutinë, por nga ana tjetër gjithçka është e hapur dhe gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që të ketë një ndryshim të rëndësishëm. Mund të ndodhë që mund të mos ndodhë asgjë, kjo është e gjitha për tu parë”.

 

Fraksion.com