AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë.

Në një intervistë të dhënë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, i pyetur në lidhje me funksionimin e “Open Balkan” dhe çfarë pritet të ndodhë me Malin e Zi, Rama u shpreh se, “Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur”.

I pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić deklaroi se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Evropës dhe cili është qëndrimi i Shqipërisë në lidhje me këtë, Rama theksoi se, “kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”.

 

Fraksion.com