AktualitetPolitikëTë fundit

Hua për barazinë gjinore, Duma: Të mos bëhen projekte, jepini grave të dhunuara mbështetje direkte financiare

Deputetja e PD, Grida Duma ka folur këtë të enjte në Kuvend për barazinë gjinore duke kërkuar që t’i jepet grave mbështetje direkte financiare. Duke iu referuar projektligjit për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore, Duma tregoi bisedën me përfaqësuesin e qeverisë.

Sipas saj, me këtë 50 milionë euro që supozohet të shkojë për barazinë gjinore, borxhi publik arrin në 73.4%. Megjithatë thekson se paratë duhet të shkojnë drejpërdrejtë për gratë që janë të dhunuara dhe kanë frikë të ngrenë kokën sepse janë të varfra.

“Një gjë e dini dhe ju, kjo 50 milionë euro nuk është barazi gjinore. 50 milionë euro është borxh buxhetor dhe për barazinë gjinore. Unë jam e fushës, e di çfarë do të thotë 50 milionë euro. Nëse për gruan do të investohej, do ishte gjë e madhe. Përfaqësuesi i qeverisë që erdhi në komision tha deshën francezët ta quanin barazi gjinore se nuk është e tillë.

Ju bëni dhe shani vetveten. Njerëzit nuk ju dëgjojnë vetëm juve. Ju thoni 50 milionë euro për barazinë gjinore. Nuk është çështja nëse rriten shifrat në letër, por çfarë ndodh me gruan. Le të mos ketë projekte, por t’i shkojnë drejtpërdrejtë ndihmë financiare ato miliona euro. Ne e dimë se dhuna ndodh se gratë janë të varfra. Nuk është çështja të bësh projekte, apo të bësh pyetje nëse janë dhunuar gratë e politikës. Kjo është hipokrizi. Nëse gratë e politikës nuk mbrojnë dot veten, larg qoftë që bëjnë politikë.

Është e dhimbshme se gruaja sot është në krahun e punës në bujqësi dhe ne harxhojmë lekë me projekte asistencash teknike. Fasoneritë e mbushura me skllavëritë për gratë. Ajo çfarë kërkoj nga zonjat kolege, a mund t’i çojmë drejtpërdrejt ato para për gratë? Sot nuk ka strehime të grave që nuk kanë ku shkojnë. Kemi arritur në një pikë që vidhet dhe thoni të bëhemi pjesë e vjedhjes. Është kthyer në “kap ca të kapësh”. Do pres që dikush nga ju të thotë, kjo nuk është barazi gjinore, por buxhet, deficit buxhetor. Përfaqësuesi tha se me këtë shkon 73.4% borxhi publik i Shqipërisë”, tha Duma.

 

Fraksion.com