AktualitetNATO/BETë fundit

Zv.Presidentja Harris pret kryeministrin bullgar: E rëndësishme mbrojtja në krahun lindor të NATO-s

Zv.Presidentja e SHBA-së Kamala Harris dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhejk Sullivan pritën dje Kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov në Shtëpinë e Bardhë.

Në njoftimin për shtyp të Zv.presidentes amerikane thuhet se gjatë takimit u vlerësua mbështetja që Bullgaria i ka dhënë Ukrainës si dhe u pohua solidariteti i SHBA-së përballë përpjekjes së Rusisë për të përdorur energjinë si armë.

“Zëvendëspresidentja Kamala Harris u takua sot me kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov. Zëvendëspresidentja shprehu vlerësimin e saj për aleancën e fortë dhe miqësinë e ngrohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bullgarisë. Ajo falënderoi kryeministrin për mbështetjen e Bullgarisë për Ukrainën dhe pohoi solidaritetin e SHBA përballë përpjekjes së fundit të Rusisë për të përdorur energjinë si armë. Ata ranë dakord mbi nevojën për të forcuar qëndrueshmërinë evropiane duke diversifikuar më tej furnizimet me energji larg Rusisë dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe parandalimit të fortë e të vazhdueshëm përgjatë krahut lindor të NATO-s”, thuhet në njoftimin për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhejk Sullivan u takua gjithashtu dje me kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov.

“Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin e paprovokuar ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke rikonfirmuar gatishmërinë e tyre për të vazhduar mbështetjen e popullit dhe qeverisë së Ukrainës dhe për t’i vendosur kosto Rusisë. Z. Sullivan nënvizoi solidaritetin e SHBA me Bullgarinë përballë përpjekjes së fundit të Rusisë për të përdorur energjinë si armë dhe diskutoi me Kryeministrin përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar qëndrueshmërinë evropiane duke diversifikuar më tej furnizimet evropiane me energji. Z. Sullivan shprehu mbështetjen për fokusin e qeverisë bullgare në sundimin e ligjit dhe reformat kundër korrupsionit. Ata diskutuan gjithashtu rëndësinë e promovimit të stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, vijon më tej njoftimi për shtyp.

 

Fraksion.com