Rama: Përgatitjet e fundit në prag të sezonit turistik në Darzezë të Fierit
Në prag të nisjes së sezonit turistik në gjithë vijën bregdetare të vendet ka nisur puna për pastrimin e plazheve.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga pastrimi që po bëhet në plazhin e Darzezës, Fier.
“Mirëmëngjes dhe me pamjet e dorës së fundit të përgatitjeve të një prej plazheve më fantastike të Adriatikut, në Darzezë të Fierit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Përveç heqjes së mbeturinave punonjësit kanë pluguar edhe rërën gjatë bregdetit të Darzezës.
Këto aksione shërbejnë si për pastrimin dhe mbajtjen pastër të mjedisit urban, ashtu edhe për ndërgjegjësimin e pushuesve dhe turistëve mbi ruajtjen e pastërtisë dhe shëndetit.
Darzeza, Semani, Ndërnënasi, Pish Poro janë vetëm disa nga plazhet e vijës bregdetare të Fierit, bregdete që në pjesën më të madhe të tyre janë ende të panjohura, edhe pse shumë të bukura dhe me pak shpenzime.
Plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme që të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.
18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13,7 km, plazhi Ndërnënas 8 km, dhe plazhi Pish Poro 9,5 km.
Hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta të pasura me gjallesa ujore janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.
Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, për qitje me piatel në pyll, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.
Fraksion.com