Po udhëtonte me autobusin Berat-Athinë; 38-vjeçares i gjendet drogë në trup për të kaluar drejt Greqisë
38-vjeçarja Elira Varfi është vënë në pranga të policisë së Gjirokastrës, pasi është kapur duke transportuar kokainë në autobusin e linjës Berat-Athinë.
Në pikën kufitare të Kakavijës, policia ka ndaluar për kontroll në vijën e dytë pasagjerët e autobusit të linjës Berat-Athinë.
Burime bëjnë të ditur se e reja e bënte shpesh këtë itinerar, e kjo nxiti dyshimet e autoritete. Këtë të martë, efektivët në pikën doganore vendosën të ushtronin kontroll në autobusin me të cilën po udhëtonte Varfi.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 38-vjeçares Elira Varfi, policia ka gjetur 10 pako me lëndë të dyshuar narkotike, në 8 prej të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike heroinë (me peshë totale 4 kg e 160 gramë), ndërsa 2 pako kishin lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë totale 780 gramë.)
Ajo e kishte fshehur drogën në trup, ku e kishte mbështjellë me çorape, për t’u mos u zbuluar.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Elira Varfit, banuese në Fier.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Fraksion.com