AktualitetNATO/BETë fundit

Finlanda: Komisioni i Mbrojtjes në favor të anëtarësimit në NATO

Komisioni i Mbrojtjes i Parlamentit Finlandez ka dalë në favor të anëtarësimit të vendit në NATO. Vendimi për aplikimin e Finlandës për anëtarësim në aleancën ushtarake pritet në ditët në vijim

 Anëtarësimi në aleancën e mbrojtjes të NATO-s është zgjidhja më e mirë për sigurinë e Finlandës, tha Komisioni i Mbrojtjes i parlamentit të Finlandës në një opinion për një analizë të politikës së sigurisë së qeverisë. Komisioni tha se situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Qeveria finlandeze prezantoi një analizë gati një muaj më parë në të cilën theksonte përparësitë dhe rreziqet e një anëtarësimi të mundshëm në NATO. Për këtë çështje janë thirrur për të marrë qëndrim gjithsej dhjetë komisione parlamentare. Me peshë të veçantë është mendimi i Komisionit të Mbrojtjes.

Vendimi për aplikimin e Finlandës për anëtarësim në aleancën ushtarake pritet në ditët në vijim. Presidenti Niinisto pritet të bëjë të ditur qëndrimin e tij për këtë çështje të enjten. Të shtunën, do të shprehen socialdemokratët në pushtet.

Kthesa në qëndrimin ndaj NATO-s

Në 20 prill nisi debati parlamentar për raportin e qeverisë për evoluimin e situatës së sigurisë – i quajtur edhe “raporti i NATO-s”, që u publikua më 13 prill. Partia e Qendrës dhe Partia Socialdemokrate – që të dyja janë pjesë e koalicionit qeveritar – ende nuk kanë një linjë zyrtare partiake. Megjithatë, përfaqësuesit e tyre kanë dalë në terma shumë të qartë në favor të anëtarësimit në NATO. Edhe Aleanca e Majtë, e cila ka qenë më ngurruese për të mbështetur anëtarësimin, nuk kundërshton më si më parë. Me deputetët që kanë sinjalizuar tashmë miratimin e tyre, anëtarësimi i Finlandës në Aleancë do të kishte një shumicë parlamentare.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, politika e jashtme dhe e sigurisë e Finlandës orientohej në dy parime bazë: në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë nga njëra anë dhe një aftësi të fortë të mbrojtjes kombëtare nga ana tjetër. Finlanda donte të ishte e përgatitur për të gjitha situatat kur bëhej fjalë për fqinjin e tij lindor.

Por që nga aneksimi i Krimesë në 2014, Finlanda forcoi gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me Suedinë dhe me Shtetet e Bashkuara, si edhe me Norvegjinë, duke zhvilluar më tej bashkëpunimin nordik të mbrojtjes. Finlanda dhe Suedia janë tashmë partnerë të NATO-s. Të dyja vendet kanë një nivel të lartë bashkëpunimi me strukturat e NATO-s. Kjo do ta lejonte Finlandën dhe Suedinë të ishin gati nga ana operative pothuajse menjëherë pas anëtarësimit.

Sipas një informacioni të Fondacionit gjerman Shkenca dhe Politika, megjithëse Finlanda ka vetëm 5.5 milionë banorë, forcat e saj të armatosura janë mbi mesataren në krahasim me Evropën. Në rast lufte, Finlanda mund të arrijë një forcë prej 280.000 trupash dhe një forcë totale rezervë deri në 870.000 ushtarë. Kjo ndodh sepse Finlanda, ndryshe nga shumë vende të BE dhe NATO-s, nuk e hoqi kurrë shërbimin e detyruar ushtarak./DW

 

Fraksion.com