Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja të Speciales
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm për disa akuza të reja që kanë paraqitur Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.
Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të deklaruara, por tha se deklarohet i pafajshëm.
“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.
“Kategoria e parë përbëhej nga dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha ai.
“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo.
Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.
“Dhe kategoria e tretë përbëhej nga dy incidente për pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera”, tha Guillou.
Gjatë seancën nuk u lexuan akuzat e reja, por gjyqtari tha se të njëjtat do të publikohen online.
Gjatë 10 majit, pritet që para Dhomave të Specializuara të paraqiten edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët së bashku me Thaçin, kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL
Fraksion.com