AktualitetTë fundit

Prokuroria: Burg për shoferin që përplasi çiftin dhe foshnjën në Tiranë, 39-vjeçari: Nuk më mbajtën frenat, u largova me vajzën time në krahë sepse… (Dëshmia)

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burg për shoferin 39-vjeçar, Ajas Sulejmani, i cili përplasi në vizat e bardha çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre tre muaj.

Mësohet se Sulejmani pretendon se nuk i kanë funksionuar frenat në momentin që semafori kaloi në të kuqe. Ai po ashtu ka deklaruar se ka qenë duke ecur me shpejtësi 40 km/orë.

Ndërkohë, ka thënë se pas ngjarjes është larguar pasi kishte në makinë vajzën e tij të vogël, dhe e ka dërguar atë në spital, ndërsa theksoi se ishte i traumatizuar.

“Në lidhje me aksidentin kam qenë me shpejtësi rreth 40 km me orë dhe përpara semaforit sapo u bë i kuq unë nisa të frenoj por nuk më mbajtën frenat. Deklaroj në lidhje me largimin nga vendi i aksidentit se nuk kam pasur qëllim të iki, por duke qenë se ishte vajza ime e mitur u largova sepse kisha dhe vajzën time pesë vjecare dhe bashkë me të kam shkuar në spitalin privat pasi vajza ime dhe unë ishim të traumatizuar nga ky aksident”, ka deklaruar Ajas Sulejmeni.

Ndaj Sulejmanit rëndojnë një sërë akuzash, pasi aksidenti ndodhi në vijat e bardha të këmbësorëve, me semafor ndalues, e madje u largua nga vendi i ngjarjes, duke braktisur mjetin luksoz tip “Benz G-Class” me targa gjermane.

Aksidenti la të lënduar çiftin, i cili ndodhet në spital me dëme të shumta fizike. Fatmirësisht, foshnja 3 muajshe është shëndoshë e mirë dhe ka dalë nga spitali.

Seanca për masën e sigurisë do të zhvillohet ditën e nesërme, ndërsa prokurorja e çështjes do të jetë Elfrida Bregova.

 

Fraksion.com