Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, sot nis zyrtarisht procesi i zgjedhjes se Presidentit të Republikës
Sot nis zyrtarisht procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërsa ende nuk ka asnjë emër kandidati për kreun e ri të shtetit.
Në orën 12:30, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve si vijim i mbledhjes për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha një ditë më parë se nuk do të shkojnë në Konferencën e Kryetarëve për negociata me mazhorancën. Ai u shpreh se të gjithë duhet të marrin pjesë në proces, duke theksuar se diskutime dhe negociata do të ketë vetëm me aleatët. Sipas Alibeajt, nesër në Konferencën e Kryetarëve do të shkojë bashkë me Gjakmarkajn, Dumën, Mediun dhe Dodën.
“Nëse nuk është negociatë, nesër është konferenca e kryetarëve, ku kryetari i grupit parlamentar merr pjesë. Nesër ka thjesht konferencë kryetarësh. Nuk ka lidhje për negociatë. Negociata do ketë me aleatët. Nesër shkoj në konferencën e kryetareve së bashku me anëtarët, Gjakmarkaj, Duma, Mediu dhe Doda dhe zonja tabaku që për momentin nuk ndodhet këtu. Në mbledhjen e kaluar, secili nga deputetët ka artikuluar kërkesat e veta si e imagjinojnë ata figurën e presidentit”, tha Alibeaj.
Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha në mbledhjen e kaluar të Konfrencës së Kryetarëve se data e raundit të parë të votimit duhet të jetë 16 maji, kur edhe do të përcaktohen të gjitha afatet e tjera si dorëzimi i kandidaturave, dokumentacioni etj.
Fraksion.com