AktualitetBota+Të fundit

BioNTech trefishon shitjet e vaksinave kundër COVID-19

Fitimi neto i kompanisë gjermane të bioteknologjisë BioNTech në tremujorin e parë të këtij viti është trefishuar në 3.7 miliardë euro, me rritjen e të ardhurave pas shitjes së vaksinës kundër COVID-19.

BioNTech ka shpallur rezultatet e saj financiare për tremujorin e parë të 2022.

Sipas kësaj, fitimi neto i kompanisë në tremujorin e parë u rrit në 3.7 miliardë euro, me një rritje të të ardhurave neto. BioNTech njoftoi një fitim prej 1.12 miliardë eurosh në periudhën janar-mars të vitit të kaluar.

Të ardhurat totale të kompanisë u rritën me 211 për qind në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, duke arritur në 6 miliardë e 374 milionë euro. Pritshmëria e tregut për të ardhurat e BioNTech ishte 4.01 miliardë euro. Kompania kishte të ardhura prej 2 miliardë e 48 milionë eurosh në tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Fitimet për aksion të kompanisë arritën në 14.24 euro, duke mposhtur pritshmërinë prej 8.52 euro.

– Kompania rrit pritshmërinë e të ardhurave nga vaksinat

BioNTech ka rritur vlerësimin e të ardhurave të saj nga vaksina kundër COVID-19 nga 13 miliardë euro në 17 miliardë euro. Kompania kishte të ardhura totale prej 19 miliardë eurosh nga vaksina vitin e kaluar.

BioNTech së bashku me partnerin e saj të prodhimit të vaksinave Pfizer, njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje me më shumë se 100 vende për shpërndarjen e 2.4 miliardë dozave këtë vit dhe ka faturuar gjithsej 750 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 deri në fund të tremujorit të parë.

Kompania gjermane ka dorëzuar 2.6 miliardë doza vaksine në vitin 2021.

BioNTech njoftoi se në javët e ardhshme do të merren të dhëna laboratorike mbi përpjekjet për zhvillimin e vaksinës për variantin Omicron të COVID-19.

Ndërkaq fitimi neto i BioNTech në vitin 2021 u regjistrua si 10.3 miliardë euro. Thuhet se shitjet e vaksinave të BioNTech prej afërsisht 19 miliardë euro në vitin 2021 kontribuan me 0.5 pikë përqindje në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Gjermanisë.

 

Fraksion.com