AktualitetNATO/BETë fundit

BE do t’i përgjigjet Ukrainës në qershor për anëtarësimin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar një përgjigje të shpejtë a do të bëhet zyrtarisht Ukraina kandidate për anëtarësim. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Baerbock ende sheh pengesa.

Komisioni Evropian do të vendosë që në qershor a do të bëhet Ukraina kandidate zyrtar për anëtarësim në BE. Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në Twitter.

Nëse vlerësimi i autoritetit të Brukselit do të jetë pozitiv, Ukraina mund të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE – me kusht që me këtë të pajtohen të gjitha vendet anëtare të BE. Ky status është nga ana tjetër një parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Menjëherë pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në fund të shkurtit, Kievi kërkoi një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qeveria e Presidentit Volodimir Zelenski ka paraqitur tashmë dokumente që mund të shërbejnë si bazë për bisedime anëtarësimi. Komisioni përgjegjës tani po i shqyrton ato dhe i ka dërguar Kievit një katalog pyetjesh mbi këtë temë. “Ne presim me padurim përgjigjet ndaj pyetësorit për anëtarësimin në BE”, shkroi von der Leyen.

Sipas Komisionit, përgjigjet në pyetësor përdoren për të vlerësuar kriteret politike dhe ekonomike për anëtarësimin. Ukraina përcolli në mes të prillit një pjesë të parë të pyetësorit të pranimit në BE. Komisioni tha se pasi të jenë marrë të gjitha përgjigjet, opinioni do të finalizohet shpejt.

Baerbock ftoh pritjet

Pasi Komisioni Evropian të ketë bërë vlerësimin e tij, vendet e BE do të jenë në gjendje të votojnë nëse do t’i japin Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar. Të 27 vendet e BE-së duhet të bien dakord për këtë. Negociatat pasuese për një marrëveshje pranimi zakonisht zgjasin me vite. Në fund, të gjitha vendet e BE-së duhet të miratojnë edhe një herë njëzëri anëtarësimin përfundimtar.

Në këtë kontekst, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i ka ftohur pritshmëritë. Ajo pohoi në Frankfurt mbi Oder se Ukraina ishte pjesë e “shtëpisë evropiane”, por tha se nuk e di se kur dhe si do të bëhet anëtarësimi. Në fund të shkurtit, Baerbock u treguar e rezervuar për aplikimin për anëtarësim, duke kujtuar se një procedurë e tillë zakonisht zgjat me vite./DW

 

Fraksion.com