Xhaçka: Prova e përkushtimit ndaj BE, kontributi që Shqipëria po jep lidhur me luftën në Ukrainë
Ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë sot në Ditën e Europës, në panelin e nivelit të lartë: Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës dhe reagimi i përbashkët i BE dhe Shqipërisë, organizuar nga MEPJ dhe delegacioni i BE në vendin tonë.
Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadorë të vendeve anëtare të BE në Tiranë. Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka theksoi se 9 maji është bërë prej dekadash një ditë e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve.
“Është një ditë që për ne shqiptarët ka një domethënie krejt të veçantë krahasuar me mënyrën sesi perceptohet kjo ditë në BE, pasi në 9 maj ne nuk kremtojmë thjesht Europën, por mbi të gjitha ëndrrën tonë për t’u bërë pjesë e Europës dhe gjithçka kjo ëndërr e mbështetur nga Bashkimi Europian ka bërë për transformimin e rajonit tonë. Bashkimi Europian ka bërë shumë për rajonin dhe ka bërë shumë për Shqipërinë”, u shpreh ajo.
Xhaçka vuri në dukje se mjafton të kujtosh situatën në të cilën ndodhej rajoni ynë në vitet 1990 për të kuptuar sesa i jashtëzakonshëm ka qenë ky transformim. “Sepse për pjesën më të madhe të asaj dekade situata në atë që sot quhet Ballkani Perëndimor ishte më e ngjashme me situatën në Sirinë e luftës civile apo të Ukrainës sot nën agresionin rus, sesa me realitetin që përjeton sot ky rajon. Gjakderdhja dhe tmerret e luftërave të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, spastrimi etnik, kampet e përqendrimit, masakrat e krimet e luftës në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë e më pas në Kosovë nën sulmet e një regjimi kriminal si ai i Miloshevicit, janë sot të vështira për t’u imagjinuar nëse nuk e ke jetuar atë periudhë”, tha ajo.
“Dhe nëse ky rajon, pavarësisht probleme që nuk është se janë zhdukur apo zgjidhur që të tëra padyshim, ka bërë kaq shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike, drejt garantimit të paqes, stabilitetit e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, drejt zhvillimit e mirëqenies, kjo padyshim i detyrohet shumë angazhimit të vendosur dhe mbështetjes që ka dhënë Bashkimi Europian. Dhe do të thosha pa ia ulur aspak rëndësinë, që edhe më shumë sesa mbështetjes financiare që ka qenë vërtet e jashtëzakonshme, i detyrohet ëndrrës, perspektivës europiane e cila i ofroi rajonit një alternativë ndaj politikave nacionaliste e përçarëse, që siç thotë një fjalë prodhonin në rajon më shumë histori sesa rajoni mund të konsumonte”, u shpreh Xhaçka.
“Shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin, janë padyshim populli që ka besuar më shumë dhe ka punuar më shumë për këtë ëndërr. Sondazhet, vazhdimisht e nxjerrin mbështetjen e shqiptarëve për integrimin europian në mbi 90 %. Por në fakt s’është fare nevoja për sondazhe për të kuptuar sesa shumë besojnë shqiptarët tek integrimi europian. Mjafton të shohësh se çfarë roli kanë luajtur shqiptarët si një faktor stabiliteti në rajon dhe si një garantues i orientimit euroatlantik të vendeve të rajonit, për ta kuptuar që asnjë popull tjetër nuk është aq i përkushtuar sa shqiptarët ndaj perspektivës europiane”, vijoi ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme.
“Prova e këtij përkushtimi është sot edhe qëndrimi dhe kontributi që po jep Shqipëria në lidhje me luftën në Ukrainë. Vendi ynë siç e dini ruan tashmë prej kohësh një linjëzim 100 % me BE në politikën e jashtme, çka padyshim që ka vazhduar edhe në këtë situatë, me linjëzimin e plotë të vendit tonë me të gjithë paketat e masave shtrënguese që ka miratuar BE.
E jo vetëm kaq, por sot si kurrë më parë, Shqipëria është duke luajtur një rol të dorës së parë në arenën diplomatike globale, në Këshillin e Sigurimit ku po jep një kontribut aktiv e të qenësishëm në mbështetje të Ukrainës dhe luftës heroike të popullit të saj kundër agresionit të paligjshëm rus”, theksoi ajo.
“Ne shqiptarët kemi vërtet shumë arsye për t’i qenë mirënjohës Bashkimit Europian. Shqipëria dhe rajoni ynë në tërësi jemi prova më e mirë e fuqisë transformuese që ka ëndrra europiane kur kombinohet me një qasje të duhur dhe strategjike.
Sot, ky kombinim faktorësh është më i nevojshëm se kurrë. Sepse e vërteta është që prej njëfarë kohe tashmë ka pasur për fat të keq një mungesë qartësie strategjike në raport me rajonin tonë. Mjafton të shohësh sesi ky rajon mu në mes të Bashkimit Europian, dikur zonë ku BE gëzonte një ekskluzivitet strategjik të plotë, sot pas agresionit rus në Ukrainë, shihet si një nga nyjat e dobëta në arkitekturën e sigurisë së Europës për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo”, vuri në dukje Xhaçka.
“Prandaj në këtë ditë, që kremton zanafillën e një eksperimenti vërtet të paprecedentë në historinë e njerëzimit, unë dua t’i bëj thirrje Bashkimit Europian, por edhe çdo vendi anëtar, që ta rigjejnë fokusin, të rigjejnë atë qartësi strategjike që bëri të mundur krijimin e vetë Bashkimit Europian dhe ta shohin rajonin tonë po me atë frymë. Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë europiane, këta të rinj e të reja që janë sot këtu e meritojnë që ta jetojnë BE njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare dhe të mos u duhet të presin edhe ata për dekada e dekada me radhë me një BE që ngelet si një vegim që nuk afrohet kurrë në horizont, siç për fat të keq i qëlloi brezit tim”, përfundoi Xhaçka.
Fraksion.com