AktualitetTë fundit

Përplasi çiftin dhe foshnjën 3 muajshe në karrocë, Ajas Sulejmani nuk e kishte patentën të pezulluar

Ajas Sulejmani, shoferi i automjetit tip “G Class” që përplasi çiftin dhe foshnjën 3 muajshe në karrocë në rrugën e Kavajës, nuk e kishte lejen e drejtimit të pezulluar.

Ai e kishte marrë patentën para 3 javësh ndërsa ditën e djeshme, pas aksidentit i është pezulluar 24 muaj pasi nga verifikimi me drogëtestues ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike kanabis.

Lejen e drejtimit e kishte marrë para 6 vjetësh në Tepelenë (Gjirokastër) kategoria B dhe gjatë kësaj kohe kishte masa administrative të ndryshme në historikun e tij si drejtues mjeti, nga të cilat dy për shkelje të sinjalizimit rrugor, një për shkelje semafori, një për shpejtësi mbi normat e lejuara, një për rrip sigurie, një për xhamat dhe dy për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ajas Sulejmani, 39 vjeçari që shkaktoi aksidentin te “Rruga e Kavajës” mesditën e djeshme, ka dalë pozitiv në testin e drogës dhe rezultoi se edhe dje ai kishte konsumuar lëndë narkotike. Lajmin e konfirmoi Policia e Tiranës.

“Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, ju informojmë se: Pas kryerjes së testit të drogës, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., ka rezultuar se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike”, njofton Policia e Tiranës.

Menjëherë pas ngjarjes, 39 vjeçari u arratis përmes pallateve, por dy orë më vonë blutë e kryeqytetit njoftuan prangosjen e Ajas Sulejmanit në një spital privat. Ai kishte shkuar atje për t’u mjekuar por u arrestua në flagrancë.

Mercedesi G Class u fut me semafor të kuq dhe përplasi çiftin me fëmijën e tyre. Fatmirësisht vogëlushi raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dy prindërit Arjan dhe Vilma Konomi janë më rëndë, por dhe ata në gjendje të stabilizuar.

Policia bën me dije se Ajas Sulejmani, ishte ndëshkuar 8 herë brenda një periudhe të shkurtër për shkelje të ndryshme si shkelje semafori apo mosvendosjen e rripit të sigurimit. Tre javë më parë ai ishte shoqëruar për verifikim në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë.

“Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

Po ky shtetas është shoqërur tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor”, njoftoi Policia.

Policia e pranon: E kemi ndëshkuar dhjetëra herë Ajaz Sulejmanin, por nuk  zuri mend! - Aktualitet

 

Fraksion.com