Komenti në DW: Putini në Ukrainë e privoi veten nga “Fitorja e Madhe”
Lufta kundër Ukrainës është një goditje e fuqishme për kujtesën e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. E ardhmja për Rusinë nuk duket e mirë, beson Ivan Preobrazhensky.
Lufta e Dytë Botërore ndante kohën në “para” dhe “pas” Luftës. Kur thuhej “pas Luftës” të gjithë e dinin se flitej për periudhën pas vitit 1945. Por që nga shkurti i vitit 2022, një luftë tjetër po e ndaë të kaluarën nga e tashmja, por me dallimin që Rusia tani është agresore.
Po vriten dëshmitarët e fundit
Deri në shkurt 2022, kujtimi i fitores në Luftën e Dytë Botërore ishte baza e identitetit rus. Të gjitha sondazhet dhe studimet që nga fundi i viteve 1990 kanë treguar se sa e rëndësishme është kjo fitore në ndërgjegjen publike të Rusisë. Jo më kot regjimi i Putinit e bëri kujtimin e asaj fitoreje si elementin më të rëndësishëm me të cilin duhej të mbahej e bashkuar shoqëria ruse. Ajo u shndërrua në një lloj feje civile të pranuar nga shumica e rusëve.
Viktimat e Luftës së Dytë Botërore përkujtohen me fushatën “Regjimenti i Pavdekshëm”. Ideja për këtë fillimisht erdhi nga shoqëria, si një alternativë ndaj patosit të fitores shtetërore dhe parullave të tilla si: “Ne mund ta bëjmë përsëri”. Por kjo iniciativë sociale u miratua shpejt nga propaganda shtetërore, siç ishte shiriti i Shën Gjergjit, i cili kthehet në një dekoratë ushtarake në Perandorinë Ruse dhe më vonë u rifut në Bashkimin Sovjetik me një emër tjetër. Në Rusi sot është simboli kryesor i kujtimit të fitores kundër Gjermanisë naziste. Edhe këtu shoqëria ruse ndoqi propagandën e Kremlinit. Por në shkurt 2022, vetë Putini shkatërroi këtë shtyllë të identitetit rus.
Trupat ruse në Ukrainë tani jo vetëm që po bombardojnë Kharkivin dhe Odesën, por po sulmojnë Mykolaivin dhe po pushtojnë Khersonin. Ato hedhin bomba pranë memorialit të Holokaustit Babyn Yar në Kiev dhe, nga frika, qëllojnë mbi tanket që ende qëndrojnë në piedestale në qytetet ukrainase e që përkujtojnë Luftën e Dytë Botërore. Nuk është vetëm “Fitorja e Madhe” synimi i tyre. Sulmohet jo vetëm kujtimi i veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, por edhe veteranëve personalisht – sulmohen dëshmitarët e paktë të mbijetuar të luftës që nuk janë në gjendje të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë granatimeve ruse.
Koha e re
Lufta agresive e nisur nga Vladimir Putini (nëse nuk përfundon me një sulm bërthamor), do të rezultojë me një luftë të re ku do të ndahen ata që kanë rezistuar ndaj agresionit dhe të tjerët. Për brezat e rinj kjo do të jetë tani “para” dhe “pas” Luftës.
Ai dhe jo ndonjë luftë tjetër si ajo e vitit 2008 kundër Gjeorgjisë, apo aneksimi i Krimesë në 2014, do të shënojë fundin e periudhës historike post-sovjetike, por edhe fundin e vetë “hapësirës post-sovjetike”. Tani ekzistojnë ata që angazhohen për “Perandorinë e Rusisë” dhe të tjerët që luftojnë për liri. Rusia, e cila falë fitores ndaj grushtshtetit në Moskë nga viti 1991, mundi të ruante pamjen e “demokracisë më të rëndësishme” në hapësirën post-sovjetike, tani shndërrohet në një “burg të popujve”, siç quhej dikur Bashkimi Sovjetik.
Jo të gjithë do t’i ndiejnë menjëherë ndryshimet aktuale. Një “epokë e re” filloi në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, por shumë rusë ende po i mbajnë kokat në rërë si një struc. Edhe rusët janë në prag të një “epoke të re” që në mënyrë të pashmangshme do t’i godasë ata rëndë: Me sanksionet perëndimore dhe kundërsanksionet ruse, të cilat do të godasin edhe njerëzit e tyre; me rritjen e pashmangshme të çmimeve të ushqimeve për shkak të mungesës së mbjelljes në Rusinë jugore dhe në Ukrainë; me mungesën e mallrave dhe inflacionin e shfrenuar për shkak të izolimit. E ata rusë që nuk i pëlqejnë të gjitha këto dhe dalin në rrugë në shenjë proteste, do të përballen me policinë dhe gardën kombëtare ruse.
Një Rusi tjetër
Rusët më në fund e gjetën “Rusinë e tyre të re të së ardhmes”, por kjo nuk duket e mirë. Siç shihet, Vladimir Putini ka një vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Por ai e ka fshehur këtë gjatë gjithë viteve të kaluara, sepse shumica e njerëzve definitivisht nuk do ta kishin pëlqyer një opsion të tillë dhe ata mund të rebeloheshin kundër tij.
Tani shumica u gjet në një vend krejtësisht tjetër, i cili nuk i ngjan aspak atij të mëparshmit – me censurë ushtarake dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Baza e identitetit kombëtar rus, fitorja mbi fashizmin, është shkatërruar nga raketat e hedhura në Kharkiv në Ukrainë. Rusia po shkon drejt konfliktit social dhe Putini ka thyer digën përfundimtare.
Tani ose do të ketë spastrime masive të atyre që mendojnë ndryshe, ose konflikti në shoqëri do të kthehet në një luftë civile, nëse kundërshtarët e luftës dhe pacifistët ende mund të rezistojnë fare. Situata në Ukrainë është e ndryshme. Ukraina kurrë nuk ka qenë më e bashkuar, siç është prej fillimit të “Luftës së Re Patriotike” – pavarësisht se si përfundon kjo luftë.
Ivan Preobrazhensky është ekspert i Evropës Qendrore dhe Lindore dhe kolumnist për media të ndryshme.
Përkthimi nga rusishtja: Markian Ostaptschuk
Fraksion.com
Fraksion.com