AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: SPAK hetoi Dvoranin me denoncim të Metës, të shkarkuarve nga Vetingu asnjë gjemb në këmbëardhjen e skandaleve të narkoqeverisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se balanca, jo në aspektin politik, por në aspektin e së drejtës nga SPAK është ende shumë e shtrembëruar.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama solli në vëmendje rastin e hetimit të Ardian Dvoranit, një gjykatës që, siç u shpreh Kryeministri, është vlerësuar nga Sekretariati Amerikan i Shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit.

“SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë, që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit, që të mos e lejonte të hynte në proces për t’u promovuar si gjykatës. SPAK-u në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte i koordinuar si sahat zvicerian, me atë zotërinë që për pak ditë ose javë do të largohet më në fund nga zyra e Presidentit të Republikës, çështje në hetim, gjë të cilën pastaj procesi gjyqësor e çmontoi dhe e shfryu si flluskë sapuni. Po nëse ky sahat zvicerian do të ishte vërtet i pakonkurrueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës e prokurorë të nxjerrë jashtë nga Vetingu për pasuri marramendëse të pajustifikuar dhe të pajustifikueshme do të ishin sot në burg”, deklaroi Rama.

Sepse, theksoi Rama, u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj të sistemit e drejtësisë, vetingu i ka flakur përjashta.

“Ku janë ata sot, me çfarë marren? Ata janë në punën e tyre dhe asnjë gjëmb në këmbë nuk i ka hyrë, ndërkohë që Bashkimi Evropian ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që Shqipëria do të ulet në tryezën e negociatave, gjëja e parë që do të thonë do të jetë: na tregoni pak sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marrë në hetim dhe çuar para drejtësisë. Zero”, u shpreh Kryeministri.

Sipas Kryeministrit, e kundërta është e vërtetë.

“Kampioni i antikorrupsionit me vulë dhe me firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK-u, për një denoncim të atij që jo unë, por që gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi këtë si “të përmbysur”.

“Kur kemi ndërmarrë Reformën në Drejtësi me vendosmëri të plotë dhe kur verbërisht unë personalisht e kam udhëhequr këtë reformë duke i dhënë mbështetjen më të madhe bashkë me ju këtu pa bërë asnjëherë asnjë diskutim të asnjë neni për të cilën gjithkush këtu, sidomos juristët tanë kanë pasur rezerva, unë personalisht nuk kam qenë naiv, nuk kam menduar se mjafton të kalojë kjo dhe gjithçka do të shkojë fjollë dhe as nuk kam menduar se pasi ne të kalojmë këto ndryshime në parlament nuk do të shikojmë çudira. Për hir të së vërtetës jam gjithmonë e më i paduruar përballë faktit që ata që e nxinë totalisht Shqipërinë, e bënë një vend ku pandëshkueshmëria u bë simbol, janë sot të paprekur, të gjithë dhe me një lehtësi të hatshme, SPAK-u shkon e bën sahatin zvicerian me Ardian Dvoranin, që sot e gjithë ditën jeton në një apartament të para viteve ’90.”

Ndërkohë, Rama theksoi se “ata që kanë të rreshtuara vilat, e deklaruan se njërën ma fali vjehrri, tjetrën baxhanaku, babai i gruas që para se të vdiste shpinë time, e tokat e mia do ja lini këtij dhëndri, se ky ishte më i miri, edhe pse ka 7 dhëndurë, këta janë duke pritur finalen e Champions League për të shkuar në Paris, siç kanë shkuar në të shkuarën dhe siç iu kanë dalë rrugëve sekush iu ka paguar udhëtimet”.

 

Fraksion.com