AktualitetPolitikëTë fundit

Këlliçi: Rama, mesazh të koduar SPAK-ut të tërhiqet nga çështjet

Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Belind Këlliçi ka reaguar sot në lidhje me fjalën e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së.

Në një deklaratë për mediet, Këlliçi u shpreh se “kush ka dëgjuar sot Edi Ramën të sulmojë Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, kupton shumë qartë hallin e tij dhe të grupit të strukturuar kriminal të qeverisë më të korruptuar në Europë, të cilin e drejton prej 9 vitesh”.

“Klithmat e Edi Ramës “më shpëtoni nga Sali Berisha”, tregojnë as më pak e as më shumë panikun që e ka kapur si dhe gjendjen e tij të pashpresë. Sulmi i përsëritur dhe akoma më i ashpër sesa në Kongres i Edi Ramës kundër SPAK-ut ka të bëjë vetëm me Edi Ramën dhe të korruptuarit që e rrethojnë atë, kjo edhe në bazë të informacioneve të besueshme në lidhje me disa hetime ndërkombëtare rreth personit të tij”, tha Këlliçi.

Në vijim, Këlliçi shton se sulmi i tij, është mesazh i koduar ndaj SPAK që prokuroria speciale të tërhiqet nga çështje që prekin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëz shumë të afërt të tij.

“Presioni konstant ndaj institucioneve të drejtësisë, kudo në botë konsiderohet vepër e rëndë penale dhe shantazh. Shqiptarët e dinë shumë mirë se Lefter Koka dhe Alqi Bllako janë vetëm maja e ajsbergut të aferës së inceneratorëve. Edi Rama e di mirë se në këtë megaaferë, radha e zyrtarëve të përfshirë është shumë e gjatë, duke vazhduar kryesisht me: Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Armando Subashi, Engjëll Agaçi, Erion Veliaj dhe deri tek vetë Edi Rama. Kryeministri i qeverisë më të korruptuar në Europë, e di shumë mirë se koncesionet në shëndetësi janë afera skandaloze që kanë përkeqësuar sistemin shëndetësor shqiptar, që pandemia u keqmenaxhua, fondet e shëndetësisë u abuzuan me tendera sekretë e prokurime abuzive. Të gjithë shqiptarët e dinë se pas këtyre aferave qëndron Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu dhe Edi Rama”, tha Këlliçi.

 

Fraksion.com