AktualitetPolitikëTë fundit

Vdekja e të riut në komisariatin e Kavajës, Berisha: S’përjashtohet nëse dikush e vari me lidhësen e kapuçit

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Kavajës ku i dha fund jetës i riu Ilvi Meta, duke thënë se nuk mund të konfirmojë nëse është vetëvarje apo varje. Berisha denoncon duke thënë se qelitë janë shndërruar si ato të sigurimit të shtetit ndërsa cilëson të shëmtuar heshtjen e organeve shtetërore.

“E kam ndjekur me shumë vëmendje këtë tragjedi njerëzore, një i ri që merret për shoqërim në qelitë e komisariatit, kjo supozon se hyn në vendin më të sigurtë për jetën e tij. I riu i shoqëruar mbi bazën e një vendimi gjykate nga ora 8 e darkës, gjendet i pajetë në qeli. Autopsia tregon se kishte një lak, shenjën e një laku rreth qafe cka flet për varje. Vetëvarje apo e vari xhelati, këtë nuk e di. Nuk mund të akuzoj dhe nuk mund të konfirmoj.

Sipas dëshmive të shokëve dhe miqve të tij, ishte djalë i hedhur, pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik. Ai u arrestua me një provë absolutisht të paqendrueshme, gjurmët e gishtërinjve të tij u gjetën në derën e një lokali ku pinte kafe rregullisht. Jam për të denoncuar se qelitë janë shndërruar në biruca po kaq të zeza sa kishin qelitë e sigurimit të shtetit. Nuk ka vend të lirë në botë që në një hark kohor 5 javor, të regjistrojë 2 vdekje 2 të rinjve në komisariatet e policisë. Edhe në kohën e hetuesive më të rrepta, mund të ketë ndodhur para viteve ’60, mbrapa kishte torturë por jo aq sa të humbnin jetën. A e vari dikush me lidhësen e kapuçit, nuk përjashtohet! Por ajo që është kaq e shëmtuar dhe kriminale është heshtja cnjerëzore dhe cinike e organeve shtetërore para këtyre akteve”, tha Berisha.

 

Fraksion.com