Miratohet rregullorja, tani edhe llogaritë në institucionet jo banka të pagesave do të kenë numrin IBAN
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë javë rregulloren që do të mundësojë pajisjen me numrin ndërkombëtar të llogarisë bankare (IBAN) edhe të llogarive të institucionet financiare jo banka të pagesave.
Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, që ka hyrë në fuqi prej vitit të kaluar, mundëson që ofruesit e shërbimeve të pagesave, të hapin llogari pagesash, të emetojnë instrumente pagesash dhe potencialisht të jenë pjesëmarrës në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH) të Bankës së Shqipërisë.
Për këtë qëllim, në varësi të veprimtarisë, institucionet financiare mund të pajisin klientët e tyre me numër llogarie të pagesës. Ky numër llogarie duhet t’i nënshtrohet të njëjtit standardizim dhe rregullsi si formati IBAN, i përdorur deri më tani vetëm për llogaritë bankare. Nëpërmjet kësaj rregulloreje, kuptimi dhe përdorimi i tij do të shtrihen në të gjitha llogaritë e pagesave që gjenerohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave për klientët e tyre. Mundësimi i pajisjes me numrin IBAN edhe për llogaritë në institucionet financiare jo banka është një nga elementët që krijon hapësirat për të zgjeruar konkurrencën në tregun e shërbimeve të pagesave.
Rregullorja e re “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë së pagesës” parashikon se përdorimi i IBAN, si nga Operatori i Shërbimit të Pagesës (OSHP) iniciues, ashtu edhe nga OSHP përfitues i pagesave, bëhet me qëllim identifikimin në mënyrë të vetme të llogarisë së pagesës, duke përdorur një format të standardizuar të paraqitjes së saj, përpunimin automatik të identifikimit të llogarive të pagesës dhe unifikimin dhe standardizimin e procesit të kontrollit të vlefshmërisë së llogarive të pagesës. OSHP-të duhet të krijojnë IBAN për çdo llogari pagese njëkohësisht me hapjen e saj dhe do të mbajnë përgjegjësi përkundrejt klientit zotërues të llogarisë së pagesës për saktësinë e IBAN-it të krijuar.
Sipas rregullores, IBAN në Republikën e Shqipërisë do të përbëhet nga 28 karaktere alfanumerike. Në pozicionet 1 dhe 2, IBAN do të përmbajë kodin e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga 2 karakteret “AL”, në përputhje me standardin ndërkombëtar ISO 3166 “Kodet për përcaktimin e emrave të shteteve dhe nënndarjeve të tyre”. Në pozicionet 3 dhe 4, IBAN përmban shifrën e kontrollit, që konsiston në 2 karaktere numerike që i korrespondojnë vlerës së kontrollit të llogaritur me një algoritëm të posaçëm.
Në pozicionet 5 deri 28, IBAN do të përmbajë atë që quhet kodi BBAN në Republikën e Shqipërisë. BBAN është kodi identifikues kombëtar i numrit të llogarisë së pagesës, i cili identifikon qartë një llogari individuale të pagesës me një OSHP dhe që mund të përdoret vetëm për transaksionet e pagesave kombëtare, në rastet kur nuk kërkohet IBAN nga kuadri rregullator në fuqi. BBAN në Republikën e Shqipërisë do të përbëhet nga 24 karaktere alfanumerike që përfaqësojnë elementet e mëposhtëm (sipas vendosjes në IBAN): në pozicionet 5 deri 12 do të vendoset Kodi Identifikues i Biznesit (KIB), i përbërë nga 8 karaktere numerike, që përcaktojnë në mënyrë unike OSHP dhe njësinë e rrjetit të tij në të cilën është hapur llogaria e klientit.
KIB është një kod identifikues biznesi që identifikon qartë në nivel kombëtar një OSHP të licencuar për të ushtruar veprimtari bankare ose financiare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky kod përcaktohet nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me OSHP. Në pozicionet 13 deri 28 do të vendosen kodet e llogarisë e pagesës së klientit të përbërë nga 16 karaktere alfanumerike. Llogaria e klientit përcaktohet nga vetë OSHP dhe mund të përmbajë në formatin e saj edhe shifër kontrolli, në përputhje me strukturën që çdo OSHP zbaton. Në rast se identifikuesi i llogarisë së pagesës me OSHP përbëhet nga më pak se 16 karaktere, pjesa tjetër e karaktereve plotësohet me karaktere numerike “0” përpara.
Përdorimi i IBAN do të jetë i detyrueshëm për identifikimin e llogarive të pagesës në transfertat e kreditit, debitimit direkt dhe shërbime të tjera pagesash të cilat procesohen në sistemet kombëtare të klerimit dhe shlyerjes së pagesave. Numrat e llogarive të pagesës të klientëve, që përdoren për të kryer pagesa në monedhën vendase ose në valutë të huaj, nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, duhet të kenë detyrimisht formatin IBAN.
Kur klienti nuk paraqet IBAN të llogarisë së pagesës së përfituesit të pagesës, OSHP mund të refuzojë të kryejë pagesën ose mund të zbatojë komisione shtesë për kryerjen e transfertës.
OSHP e cila përpunon dhe ekzekuton instruksionin e pagesës duhet të kontrollojë paraprakisht vlefshmërinë e IBAN, të llogarive të pagesës të dërguesit dhe marrësit. Në rast se nga procedurat e kontrollit të vlefshmërisë së IBAN rezulton se IBAN është i pavlefshëm, OSHP do të refuzojë të kryejë pagesën në fjalë. Gjithashtu, sistemet kombëtare për klerimin dhe shlyerjen e pagesave do të kontrollojnë vlefshmërinë e IBAN, për instruksionet e pagesave që kryhen përmes këtyre sistemeve dhe në rast se IBAN rezulton i pavlefshëm refuzojnë klerimin dhe shlyerjen e pagesës në fjalë./monitor
Fraksion.com