AktualitetTë fundit

KPK shkarkon Arjan Ndojën! Ishte në makinë me ‘të fortin e Sukthit’ kur iu bë atentat!

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra Arian Ndojën, prokuror në prokurorinë e rrethit Durrës.

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja është shkarkuar nga KPK pasi kishte lidhje me krimin dhe probleme nga ana profesionale. Pas seancës të KPK, Ndoja nënkuptoi se do e ankimojë vendimin në gjykatën e Strasburgut. Mësohet se KPK nuk pranoi riçeljen e hetimit administrativ. Prokurori i Durrësit u shkarkua me vota unanime.

Ndoja ka qenë shënjestra e atentatit të 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit.

Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Landi Muharremi u bë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit duke i sekuestruar makinën e blinduar të Landi Muharremit, i njohur me pseudonimin ‘Rrumi’ nga Shijaku. Makina e blinduar e Landi Muharremit është Audi dhe sekuestrimi është bërë mbi dyshimet se është vendosur me veprimtari të jashtëligjshme.

Arian Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem.

 

Fraksion.com