AktualitetPolitikëTë fundit

Gjiknuri: Nuk përjashtojmë Sazan Gurin dhe Elena Kocaqin që vetëshpallën kandidaturën për President

Përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri ishte në një bashkëbisedim me gazetarët duke theksuar sërish se janë të hapur për negociata pë zgjedhjen e presidentit të ri.

Gjiknuri theksoi se kanë marrë dhjetëra propozime nga qytetarët e thjeshtë për emrin e kandidatit për president, por do të bazohen tek tryeza e negociatave për një figurë pa ambicie politike dhe me integritet.

“Nuk e kam të saktë numrin, mund të kenë dhjetëra emra por nuk zgjidhet nga opinioni publik. Emra ka, nga të gjitha profilet, qoftë nga politika, akademia, diplomacia etj. Kur themi ulemi në negociatë me palët vendimmarrëse, pastaj nga gama e emrave që mund të kenë ardhur, fillon dhe ngushtohet rrethi i kandidatëve. Kemi përjashtuar anëtarët e grupit parlamentar, nuk besoj që PS do të tërhiqet dhe të jetë profil i një njeriu që nuk ka ato ambicie të shfaqura politike dhe të jetë një njeri që ka integritet. Edhe opozita ka vlerë të vërtetë se nuk është problemi të shkosh me një emër. Edhe opozita ka fjalën dhe dëshirën e saj e mund të trysnojë pozitivisht që të shkojmë brenda një liste të shkurtër kandidatësh”, tha Gjiknuri.

“Nuk përjashtoj asnjë emër, as ata që vetëshpallen”. Kështu u përgjigj Damian Gjiknuri për të gjithë emrat që vetëshpallin kandidaturën për president, mes tyre edhe Elena Kocaqi e Sazan Guri.

I pyetur se si i sheh PS këto emra, Gjiknuri tha se janë në proces dialogu, ndaj nuk përjashtojnë asnjë emër por është e rëndësishme që të gjejnë një profil të përbashkët për president.

 

Fraksion.com