Fixhi sekuestron jahtin 300 milionë dollarësh të oligarkut rus, me kërkesë të Uashingtonit
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, autoritetet në Fixhi kanë konfiskuar një jaht prej 300 milionë dollarësh që i përket oligarkut rus Suleiman Kerimov. Lajmi u njoftua të enjten nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Ky zhvillim shihet si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit dhe aleatëve të tij për të ushtruar trysni ndaj Rusisë lidhur me sulmin në Ukrainë.
Një gjykatë në Fixhi vendosi të martën se Shtetet e Bashkuara mund ta sekuestronin një superjaht në pronësi të një shtetasi rus, vendim që u mor disa javë pasi mjeti lundrues mbërriti dhe u sekuestrua nga policia.
Autoritetet në vende të ndryshme të botës kanë konfiskuar anije luksoze dhe vila në pronësi të miliarderëve rusë në mbështetje të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës lidhur me sulmin në Ukrainë, të cilin Rusia e quan një operacion të posaçëm ushtarak.
SHBA-të vendosën sanksione ndaj zotit Kerimov në vitin 2014 dhe 2018, si përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë në Siri dhe Ukrainë. Ndaj tij rëndojnë sanksione edhe nga Bashkimi Evropian.
Puna e grupit të punës të Departamentit amerikan të Drejtësisë, i quajtur “KleptoCapture”, është përqendruar në sekuestrimin e jahteve dhe pronave të tjera luksoze duke goditur financat e oligarkëve rusë, në një përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.
Anija luksoze “Amadea” mbërriti në Fixhi muajin e kaluar, nga Meksika, pas një udhëtimi 18-ditor përmes oqeanit Paqësor.
Oligarku Suleiman Kerimov është përcaktuar nga zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, mes një grupi oligarkësh rusë, që përfitojnë nga Moska, përmes korrupsionit dhe aktiviteteve të saj në mbarë globin, përfshirë dhe mbi çështjen e pushtimit të Krimesë./voa
Fraksion.com