AktualitetRajoniTë fundit

“Një ministër shqiptar i korruptuar mbronte trafikantët…”; I penduari i drejtësisë italiane rrëfen skemën e trafikut të drogës

Mediat italiane kanë zbardhur dëshminë e një italiani të arrestuar për trafik armësh, vrasje dhe trafik droge në bashkëpunim me trafikantë shqiptarë, i cili ka shprehur pendesë dhe ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Sipas mediave fqinje, i penduari i drejtësisë italiane ka rrëfyer ndër të tjera se trafikantët shqiptarë me të cilët ka bashkëpunuar,  kishin mbështetje nga një “ministër shqiptar i korruptuar”.

Antonio Guastalegname, 53-vjeç, sipërmarrës nga Vibo Marina, ka treguar për hetuesit italianë se ishte Valerio Navarra lidhja mes trafikantëve shqiptarë dhe mafiozëve italianë (i cilësuar nga hetuesit njeri i afërt me bosin e Ndragetas në Zungri, Antonio Giuseppe Accorinti).

“Trafikantët shqiptarë kishin mbështetjen e qeverisë shqiptare. Nëse më kujtohet mirë, subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm, megjithatë ishte një figurë e rëndësishme politike shqiptare”, shprehet i penduari.

Kontaktet me trafikantët shqiptarë

Duke folur për trafikun e drogës, Guastalegname përmend disa herë, dhe njeh në albumin fotografik që i është shfaqur, Valerio Navarran, e ky i fundit,  siç pohon i penduari, kishte kontakte me subjektet shqiptare.

“Ky i fundit kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare, nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”.

Ai thotë se personi që kishte këtë kontakt, e kishte emrin “Eduardi” ose “Roberti”…

“Ky më propozoi ta shisja direkt pa ndërmjetës drogën e tyre në stadiumet e Piemonte dhe për të më joshur nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin importe duke u mbështetur në ‘mbrojtjen e qeverisë shqiptare’”, thotë ai.

Për hetuesit, personi të cilit ai i referohet është Robert Lazaj, i lindur në Shqipëri në vitin 1972. Po ashtu edhe Guastalegname e njeh këtë të fundit në foton që i treguan.

“Konfirmoj se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërmi i ministrit të qeverisë shqiptare që ka siguruar mbulimin e këtyre trafiqeve”, shprehet ai.

Ndërkohë, Robert Lazaj është vënë në prangat e policisë italiane në vitin 2019, kurProkuroria Antimafia e Firences kreu një operacion të madh për të zbatuar urdhrat e ndalimit të firmosur në gjykata për 7 shqiptarë dhe 2 italianë.

Të dy shtetasit italianët dyshohet se janë pjesë e grupit mafioz “Ndragheta”. Të dyshuarit akuzohen për trafik dhe mbajtje të drogërave të ndryshme. Subjekti, Valerio Navarra, i transferuar në Toskana më 2016 për t’i shpëtuar hetimit në Kalabri, jetonte në Montecatini Terme, ku kishte një piceri, por edhe kishte krijuar, me interesimin direkt të ‘Ndrangheta-s, lidhje kriminale me trafikantët shqiptarë. Policia ka evidentuar si element me rrezikshmëri Robert Lazaj, ekspert i shitjes së drogës, prej vitesh banues në Firence.

Mes Navarras dhe Lazajt kishin ndodhur disa takime për trafikun e drogës. Falë hetimeve u bë i mundur sekuestrimi i 38 kileve marijuanë në 15 janar 2019; 18 kilogram marijuanë e 750 gramë kokainë më 4 shkurt, kur karabinierët arrestuan ndër të tjerë edhe Lulezim Shkurtajn, furnizues në sasi të konsiderueshme nga Shqipëria./BW

 

Fraksion.com