AktualitetPolitikëTë fundit

11 fëmijët e parë marrin statusin “Në përkujdesje të Republikës”, Rama: Zotim i mbajtur

Kryeministri Edi Rama u dorëzoi sot 11 fëmijëve të parë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me mirënjohjen e thellë për prindërit e tyre që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së të tjerëve.

Në fjalën e rastit, Rama vlerësoi “se prindërit tuaj jetojnë në kujtimet tuaja dhe kujtesën e kësaj shoqërie, si mishërim i sakrificës ekstreme për të mirën e të tjerëve”.

“Ata lanë pas edhe amanetin e heshtur për ne që të mos t’ju lëmë juve për asnjë çast vetëm. Ky takim i sotëm është për ta shpallur publikisht të përmbushur këtë amanet që u kthye në zotimin tonë dhe u bë ligji i parë i mandatit të tretë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “kujtimi i tyre i paharrueshëm u bë shtysa jonë e madhe se Republika jonë nuk i lë vetëm fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve të saj”.

“Statusi ‘Fëmijë në përkujdesje të Republikës’ nuk është më zotim por risi e veçantë e jetës sonë që aktet e vetëmohimit i japin kuptimin më të madh. Asnjë gjë nuk e zëvendëson dot figurën e prindërve, por dhënia e kujdesit financiar për fëmijët, të barabartë me pagën e prindit për fëmijën e parë dhe përshkallëzim për fëmijën e dytë, të tretë e me radhë, është më në fund një mbështetje e plotë pas një periudhe të gjatë kohe kur mbështetja e fëmijëve të prindërve të vetësakrifikuar për atdheun, ligjin, moralin më të lartë njerëzor ishte krej e pamjaftueshme”, tha Rama.

Rama tha se statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” parashikon marrjen e shërbimit spitalor falas në institucionet publike dhe private dhe kur është nevojshme edhe në strukturat më të specalizuara jashtë vendit.

Po ashtu, Rama tha se statusi parashikon gjithë procesin e shkollimit me bursa të plota dhe përjashtim nga të gjitha tarifat për të ardhur te orientimi profesional dhe mbështetja shtetërore për punësimin e tyre.

“Ky status u takon të gjithë fëmijëve të dëshmorëve, mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën në vijën e parë të luftës me armikun e padukshëm. Bëhet fjalë për të gjithë fëmijët që ende nuk kanë dalë në rrugën e jetës, si zotër të jetës së tyre . Sot këtu janë 11 të parët dhe ndërkohë Komisioni i Posaçëm që drejtohet nga ministrja Manastirliu, i ngritur sipas ligjit vijon me trajtimin e rasteve të tjera”, tha Rama.

Rama tha se qeverisja është një proces përmes së cilit mundësojmë çdo ditë, kuptojmë çdo ditë e më thellë dhe ndiejmë çdo ditë e më shumë pulsimin e shoqërisë, duke u përpjekur që çdo ditë të përpiqemi të bëjmë edhe më mirë.

“Së dyti, përtej dëshirave tona qëndron gjithmonë muri i pamundësisë, të cilin duhet ta shtyjmë çdo ditë me shumë durim dhe forcë, në mënyrë që të zgjerojmë hapësirën e mundësive. Dhe ajo zgjerohet me shumë përpjekje, durim, duke punuar pa u lodhur. Zgjerohet duke mësuar çdo ditë dhe duke u përpjekur të vëmë në jetë çdo ditë një mësim të ri”, tha ai.

 

Fraksion.com