AktualitetPolitikëTë fundit

Si nisi hetimi për pasurinë e deputetit të PD deri te konfiskimi nga Gjykata e Posaçme

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka sekuestruar 22 pasuri të deputetit të PD-së Kasëm Mahmutaj dhe dy vëllezërve të tij, familjarëve dhe personave të bashkëlidhur pasi nuk kishin ardhur nga burime të ligjshme financiare.

Mahmutaj bëhet kështu deputeti i parë në Shqipëri që i konfiskohet pasuria me kërkesë të SPAK për shkak se vëllai i tij Gazmend Mahmutaj ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJKKO vendosi të konfiskojë pasurinë e deputetit të PD, familjarëve dhe personave të bashkëlidhur, pasi nga hetimi rezulton se kjo pasuri rrjedh nga aktivitete kriminale, jo nga të ardhura të ligjshme.

Vëllai i deputetit Gazment Mahmutaj, me emrin e ndryshuar në Eduart Toska rezulton i dënuar në 1993 nga gjykata e Veronas për shfrytëzim prostitucioni. Për këtë arsye ai i është nënshtruar hetimit pasuror nga OFL dhe SPAK.

“Rezulton se familja Mahmutaj nuk e ka justifikuar pasurinë me burime të ligjshme financiare dhe SPAK i është drejtuar gjykatës për konfiskimin e saj.

Në emër në shtetasit Kasëm Mahmutaj që është deputet i PD rezulton të jenë konfiskuar disa pasuri, truall në bashkinë e Beratit, pallat në Bashkinë e Beratit, apartamente, tokë truall, janë disa pasuri në proces legalizimi si dhe dy automjete. Pasuritë janë dhe në emër të familjarëve të tij.
Fillimisht i është nënshtruar hetimit pasuror Gazmend Mahmutaj, vëllai i deputetit. Ai njihet dhe si një person me lidhje të ngushta me deputetin tjetër Fatmir Mediu, kreu i PR-së”, raportoi gazetarja Lala.

Ajo tha më tej se të gjitha pasuritë e konfiskuara kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar, por se subjekti ka të drejtë apelimi.

“Familjarët dhe vetë ai kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për t’i çliruar këto pasuri.
OFL iu kërkoi personave të dyshuar, të dënuar, apo ish-të dënuar të deklarojnë burimet e pasurisë së tyre. Formulari është plotësuar dhe nga vëllai i deputetit Gazmend Mahmutaj.
Janë sekuestruar rreth 22 pasuri, disa prej tyre janë në emër të familjarëve apo personave të bashkëlidhur.

Subjekt i ligjit OFL u bë rrjedhimisht pas të vëllait dhe deputeti i PD Kasëm Mahmutaj. Avokatët kanë deklaruar se këtë çështje do ta çojnë në Apel.
Ishte OFL që në një farë mënyre bëri që gjithë pasuria e deputetit të PD t’i nënshtrohej hetimit pasuror nga Prokuroria e Posaçme dhe më pas të sekuestrohej|, raportoi ajo.

 

Fraksion.com