AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, në Shqipëri nuk ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre.

Në një reagim në Twitter me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Rama tha se, në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme.

“Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve,gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje, kur në fakt s’ekziston!”, u shpreh Rama.

“Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!”, theksoi Rama.

“E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër medieve, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!”, nënvizoi Rama.

 

Fraksion.com