“Të përshtatet profili i punonjësit me vendin e punës”; Kuvendi kërkon reformë në stafet e ujësjellësve :
Kuvendi ka kërkuar nga Enti Rregullator i Ujit që në monitorimet që do të kryhen në terren përgjatë këtij viti të mbahet parasysh edhe kontrolli i përshtatshmërisë të profilit të punonjësve me vendin e punës.
Në rezolutën tashmë të miratuar për aktivitetin e vitit të shkuar të këtij institucioni thuhet se kjo duhet të jetë një nga pikat e punës.
“ERRU në monitorimet e shoqërive UK në terren të kontrollojë me rigorozitet profilin e punonjësve të ndërmarrjeve UK në mënyrë që të përputhet me pozicionin e tyre te punës” thuhet në rezolutë.
Po kështu një tjetër pikë që ka të bëjë me burimet njerëzore është ajo e rritjes së eficiencës së stafit duke mbajtur parasysh uljen e numrit mesatar të punonjësve për 1 mijë lidhje që shërben si standard matës për këtë aspekt.
“ERRU të rekomandojë rishikimin e legjislacionit për mundësi të tjera alternative teknike për garantimin e sigurisë të ujësjellësve (monitorimin në distancë të objekteve me kamera) për të bërë të mundur rritjen e eficencës së stafit dhe uljen e numrit të punonjësve. Shërbimi me personel roje fizike i sigurisë së objekteve të ujësjellësve ka ndikim negativ në treguesin e efiçencës së stafit, (treguesi i eficencës së stafit pa përfshirë shërbimin roje do të ishte në nivelin e 4.9 punonjës për 1000 lidhje nga 5.28 punonjës për 1000 lidhje për shkak të punonjësve të sigurisë për ruajtjen e objekteve të ujësjellësve)” nënvizon Kuvendi.
Të tjera pika që Entit i kërkohen të ketë në vëmendje gjatë këtij viti janë edhe ato për reformën e agregimit apo pjesën e detyrimeve të energjisë që ujësjellësit kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Lidhur me të parën Kuvendi kërkon që ERRU të japë kontributin e tij konkret në kuadër të nismës së qeverisë qendrore, të ndërmarrë gjatë vitit 2021, mbi agregimin e sektorit si avantazh i ekonomisë së shkallës për përmirësimin e performancës së sektorit në drejtim të përmirësimit të eficiencës operacionale dhe qëndrueshmërisë financiare.
Kurse sa i takon të dytës “ERRU në vijim të Studimit të bërë nga ana e saj lidhur me problematikën e mbulimit të kostove të energjisë për shoqëritë UK të iniciojë një bashkëpunim AKUM-ERRU-OSHEE për të kryer një analizë e thelluar e gjendjes për shoqëritë problematike në drejtim të pagesës së faturës së energjisë elektrike sipas një vlerësimi real të Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP), si dhe të firmoset një kontratë performance bazuar në objektiva që synojnë përmirësimin e gjendjes financiare të këtyre shoqërive”./monitor
Fraksion.com