“Shtëpitë i gëzojnë edhe demokratët, por mos ia hiqni bravat njëri-tjetrit”; Rama në Thumanë: S’është e largët dita kur të ktheheni në atraksion turistik
Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në këtë ditë Bajrami në Thumanë, ku ka dorëzuar 150 shtëpi të personave që e humbën atë gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij në këtë përurim, nuk i kurseu batutat me në fokus demokratët. Ai tha se shtëpitë do i gëzojnë të gjithë, ndërsa i këshilloi që të mos i heqin bravat njëri-tjetrit.
Fjalën e tij, Rama e mbylli me premtimin që shumë shpejt Thumana mund të kthehet në një atraksion turistik.
“Është për të gjithë. Sigurisht demokratëve që nuk janë pak në Thumanë iu uroj të gëzojnë shtëpitë, i kanë falas. Të mos i heqin bravat njëri-tjetrit, por të respektojnë njëri-tjetrit sepse në fund të ditës mbetet njerzillëku, komuniteti dhe mirësia që i drejtohemi njëri-tjetrit. Dua ta mbyll me një fjalë të profetit Muhamed i cili thoshte: Edhe nëse në ditën e kiametit gjendesh me një filiz në dorë, mos ik pa e mbjellë. Iu takon juve që këto kopshte që pritet të mbillen të lulëzojnë. Iu kam thënë që do e bëjmë Thumanën që nuk do e njihni, ja ku është këtu. Askush që nuk e ka parë s’do e njohë dot.
Liqeni aty lart, do të jetë arsyeja që Thumana të kthehet në destinacion turistik. Njësoj siç ndodhi edhe me Belshin. Sot në fundjavë atje nuk ka vend sepse shumë vizitorë shkojnë për fundjavë. Kështu krijohet një ekonomi e vogël lokale. Zoti qoftë me Ju e me ne të gjithë. Shëndet, mirësi, solidaritet dhe rroftë Thumana rrofshin përgjithmonë kujtimet e atyre që nuk e jetuan dot këtë transformim dhe e humbën jetën në atë natë tragjike. Por rrofshin sa malet gjyshet dhe gjyshërit e Thumanës”, tha Rama.
Fraksion.com