AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Jam thellësisht i kënaqur sot”; Rama dorëzon në Thumanë çelësat për 155 shtëpi të reja

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të 155 shtëpive të reja në Thumanë.

Së bashku me drejtuesin e Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi, Rama dha në këtë ditë të shenjtë të Fitër Bajramit çelësat për 155 shtëpi të reja.

Kreu i qeverisë vizitoi disa shtëpi të ndërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me kontributin e fondacionit “Firdeus”.

“Kënaqësi të japim në këtë ditë të shenjtë, 155 çelësat për shtëpitë e reja të ndërtuara me kontributin e fondacionit “Firdeus”, në këtë lagje të re, e cila tanimë merr formë të plotë falë një pune të gjatë e plot përkushtim që nga momenti i parë pas tragjedisë”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama u shpreh se, “besoj që në këto kohë qysh se kur ra ajo fatkeqësi e madhe duhet të kem ardhur në Thumanë mbi 40 herë dhe mezi e kam pritur këtë moment kur të gjitha punët do të bëheshin bashkë. Dhe në fund fare të gjitha banesat do të merrnin jetë me futjen e të gjitha familjeve në shtëpia”.

“Për më tepër jam thellësisht i kënaqur sot që pasi kemi çelur dyert e apartamenteve këtu pranë në një ditë të bekuar Krishtlindjesh, sot çelim dyert e shtëpive në një ditë të bekuar Bajrami. Me këtë rast dua t’i uroj edhe kështu me zë drejtpërdrejtë të gjithë besimtarëve myslimanë, që të ketë qenë një muaj i bekuar agjërimi të pranuar dhe që të gjithë të kenë shëndet dhe e mira i priftë në familjet e tyre dhe jetën e tyre”, u shpreh ai.

Rama nënvizoi se, “pavarësisht se jam i dhënë me shumë respekt ndaj feve dhe pavarësisht se nuk jam jam as hoxhë as prift, nuk më vjen mirë kur shumëkush ngatërron gjëra që nuk duhen ngatërruar. Ngatërron atë që feja është për çdonjërin individualisht me atë që feja është për mbarë njerëzimin pavarësisht se njerëzit ndahen në besimtarë dhe në jo besimtarë. Sepse sot shkenca ka përparuar në mënyrë marramendëse, por nuk e ka bërë fenë më pak të rëndësishme në jetën e njerëzve. Sepse sot teknologjia ka përparuar në mënyrë marramendëse, por feja nuk është më pak e rëndësishme për njeriun. Sepse historia e njerëzimit është historia e zhvillimit, e progresit, e transformimit të vazhdueshëm. Por është një histori në të cilën feja e ka shoqëruar dhe do të vazhdojë ta shoqërojë njeriun, përsa kohë do të ketë jetë në tokë, sepse shkenca nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë të provojë dot asnjëherë jo sesi ndodhin gjërat, por se përse ndodhin gjërat”.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa respekti i besimit të tjetrit dhe nuk ka gjë më të dëmshme për secilin prej nesh sesa përbuzja për besimin e të tjerëve rreth nesh. Në këtë ditë të bekuar më vjen jashtëzakonisht mirë që jam me Elvisin dhe të gjithë ata që janë pjesë e këtij kontributi të jashtëzakonshëm përmes fondacionit “Firdeus””, theksoi Rama.

“Për rindërtimin, jo vetëm në Thumanë, por në të gjithë zonat e prekura janë angazhuar 27 mijë vetë. 400 kompani që nga kompanitë më të vogla tek studiot e arkitektëve apo të inxhinierëve deri tek kompanitë më të mëdha të ndërtimit janë përfshirë në këtë përpjekje të madhe”, tha Rama.

“Së bashku ne realizuam atë që për hir të së vërtetës ne nuk e kemi gjetur në asnjë rast rindërtimi në vendet që kemi parë për të marrë eksperiencë, që jo vetëm t’i ndërtojmë shtëpitë, por t’ua japim të gjithëve falas, pa i detyruar të paguajnë asnjë qindarkë, qoftë dhe përmes një kredie të butë, siç ndodh në Itali, siç ndodh në Turqi dhe vende të tjera që kanë tërmete, apo Greqi ku shtëpi krejtësisht falas nuk të jep njeri. Ndërkohë që në Shqipëri të gjitha shtëpitë edhe këtu në Thumanë, qoftë ato që ka ndërtuar qeveria, qoftë ato që ka ndërtuar Fondacioni, qoftë ato që ka ndërtuar Behgjet Pacolli këtu që është përfshirë në këtë projekt janë falas, janë prona juaj, t’i gëzoni, t’i trashëgoni dhe bëni çfarë të doni me to”, theksoi ai.

“Këtu ku jemi ne pas çmontimit të kësaj tende do të ndërtohet dhe një park dhe ndërkohë bashkë me bashkinë do të vazhdojmë edhe disa punë të tjera që kanë mbetur qoftë për njësinë administrative që siç e keni parë aty po merr formë, dhe brenda 1, 2 muajsh do të jetë e përfunduar. Qoftë për qendrën shëndetësore. Dhe qoftë edhe për një park lodrash për fëmijët. Dhe realisht Thumana sot është një model zhvillimi të qëndrueshëm urban dhe social. Dhe realisht sot mund të thuhet me plot gojën që shumë e shumë lagje të vendit tonë do të kishin shumë dëshirë që të ishin kështu si Thumana, që momentin e tragjedisë ishte realisht si një vendngjarje e një skene nga ferri. Ndërkohë që sot është vendi i rilindjes në kuptimin më të vërtetë të fjalës. I rilindjes për të gjithë pa dallim edhe për ata që votojnë majtas edhe për ata që votojnë djathtas. Edhe për ata që falen edhe për ata që s’falen. Edhe për ata që të falin edhe për ata që nuk të falin. Është për të gjithë.
Sigurisht demokratëve që nuk janë pak këtu në Thumanë, ju uroj t’i gëzojnë shtëpitë njësoj si të tjerët. I kanë falas. Dhe të mos i heqin bravat njëri-tjetrit por të respektojnë njëri-tjetrin sepse në fund të ditës, pavarësisht se çfarë bëjnë partitë, pavarësisht se nga shkojnë dhe vijnë qeveritë mbetet njerëzillëku, komuniteti dhe mirësia që i detyrohemi njëri-tjetrit si njerëz”, tha Rama.

Drejtuesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi tha se, “kur ra tërmeti i tmerrshëm, shumica e shqiptarëve ishin në gjumë, duke fjetur. Dhe tërmeti i tmerrshëm i zgjoi ëndrrat e gjithsecilit, por në fakt kur u zgjuam u hapën disa ëndrra të tjera duke qenë zgjuar. Dhe këto ëndrra ishin që, atyre të cilët u dëmtuan, ne t’i gjendeshim më afër. Dhe sot nga këto ëndrra, realiteti është shumë i bukur. Thumana pa frikë e them është bërë një Zvicër e vogël”.

Aktivitetin e përshëndeti edhe aktori Mirush Kabashi, i cili recitoi poezi nga Saadi Shirazi dhe Naim Frashëri, duke uruar banorët për shtëpitë e reja.

 

Fraksion.com