AktualitetEkonomiTë fundit

Hapet ankandi: 120 mijë ton naftë në shitje

Kompania e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend ka hapur ankandin e parë për këtë vit për shitjen e një sasie 120 mijë ton naftë brut.

Kjo është sasia më e madhe e naftës e nxjerrë për shitje prej shumë kohësh ndërkohë që ankandi i mëparshëm që u zhvillua në fund të vitit 2021 dështoi çka çoi në anulim të tij.

Referuar dokumenteve sqarohet edhe mënyra sesi do të llogaritet vlera fillestare e cila ka një formulë standarde.

Në kushtet FOB Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.33 % e Çmimit Brent + K.

Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.33 % e Çmimit Brent – 3.36 USD/bbl + K.

-75.33 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftes, % e squfurit).

– Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik.

-3.36 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim).

-K- eshte vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K˃0)” thuhet në dokumentet e ankandit.

Të njëjtat bëjnë me dije se vendndodhja e naftës brut është në Albpetrol sha Patos: Në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçove, Stacioni Amonicë.

Data e zhvillimit të ankandit është 10 maji.

Për herë të fundit Albpetrol mori një ofertë ekonomike për shitjen e naftës në prill të vitit të shkuar kur njoftoi për shitje të 100 mijë tonëve naftë me një vlerë të përafërt prej 3.5 miliardë lekë apo rreth 27 milionë euro. Gjatë vitit 2020, edhe pse pati një sërë tentativash nga ana e kompanisë për shitje të naftës bruto, shumica prej tyre dështoi duke e vënë atë në vështirësi ekonomike.

Situata e pandemisë në vitin 2020 vuri në pozitë të vështirë thuajse gjithë sektorët përfshirë nxjerrjen e naftës ndërkohë që rimëkëmbja gjatë 2021 dhe zhvillimet e fundit të këtij viti kanë çuar çmimin e naftës së përpunuar në nivele rekord. Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse do të ketë interes për këtë ankand dhe cila do të jetë oferta që do të jepet.

 

Fraksion.com