AktualitetOp-EdTë fundit

Christopher Hill: Nuk e kuptoj se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por është Beogradi ai që duhet të vendosë dhe nuk ka trysni mbi të për këtë çështje. Ambasadori Hill tha se Serbia “duhet të mendojë sërish”, nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth çështjes së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Së fundmi Serbinë e vizituan tre senatorë amerikanë, si dhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Karen Donfried. Të gjithë qëndruan në Serbi pak kohë pas zgjedhjeve dhe të gjithë transmetuan mesazhin se Serbia duhet të vendosë sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit mbi Ukrainën. Disa thonë se qëllimi ishte shtimi i trysnisë mbi Beogradin? Cili sipas jush ishte mesazhi kryesor për Serbinë?

Ambasadori Hill: Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se gjatë këtyre vizitave u diskutuan një sërë temash. Tema e parë ishin marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së dhe do të thosha se marrëdhëniet janë të mira, por besojmë që mund të bëjmë më shumë. Sigurisht, një nga temat ishte situata në Ukrainë, një nga tragjeditë më të mëdha të këtij shekulli. Prandaj, nuk është për t’u habitur që përfaqësuesit amerikanë paraqitën aspekte të ndryshme të asaj situate në kombinim me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së dhe faktin se nga pikëpamja e BE-së dhe SHBA-së, Serbia duhet të veprojë si anëtare e BE-së dhe t’u bashkohet sanksioneve. Është e qartë që kjo është politika jonë dhe nga ana tjetër, Serbia duhet të mendojë për të.

Zëri i Amerikës: Kryeministrja Ana Bërnabiç, tha se biseda e saj me zonjën Karen Donfried ishte “e vështirë, konstruktive dhe korrekte” dhe se asaj “i gumëzhinte në kokë” pas bisedës. Mund të na thoni çfarë ishte kaq e vështirë?

Ambasadori Hill: Nuk e di çfarë ka menduar kur ka thënë “e vështirë”, biseda ishte shumë pozitive. Sigurisht që ne kemi dallime për disa çështje, siç janë sanksionet dhe ka dallime të tjera – për shembull, sa shpejt Serbia dhe Kosova mund të përparojnë në bisedime. Por, ka edhe shumë ngjashmëri në politikat tona, përfshirë edhe ekonominë, për të cilat u diskutua shumë në takimin me kryeministren dhe presidentin.

Zëri i Amerikës: Përse është e rëndësishme për Amerikën dhe BE-në që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë?

Ambasadori Hill: Më duhet të them se ka pasur një keqkuptim në lidhje me raportin (mbi vizitën në rajon) të shkruar nga Senatori (Chris) Murphy dhe njerëzit disi e kuptuan se ato 60 ditë, që kishin të bënin me një çështje ekonomike, kishin të bënin me sanksionet – gjë që nuk është e vërtetë. Unë isha atje dhe nuk bëhej fjalë për sanksione. Por, Shtetet e Bashkuara po i thonë Serbisë se nuk është çështja nëse do të shkoni në Lindje apo Perëndim, por ka vetëm një drejtim dhe i takon Serbisë për të vendosur sa shpejt dëshiron të arrijë atje… Rusia vështirë se mund të jetë një model tani, nuk është një vend që do të dëshironit ta kishit mik apo aleat. Dhe mendoj se po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë duhet të bëjnë vendet. Më në fund, u takon vendeve të vendosin dhe askush nuk po i bën trysni askujt, njerëzit në Serbi duhet të vendosin se në cilin drejtim duan të shkojnë.

Zëri i Amerikës: A do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara nëse nuk i vihen sanksione Rusisë?

Ambasadori Hill: Është një pyetje hipotetike. Ajo që do të donim është thellimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ne e dimë se sa e rëndësishme është Serbia në rajon dhe në Evropë dhe do të donim të kishim marrëdhënie më të mira. Shtetet e Bashkuara tani kanë marrëdhënie më të mira me BE-në për shkak të kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë. Ne po flasim me Serbinë se çfarë mund të bëjmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj lufte… Nuk do të doja të hyja në këtë, nuk po flasim për pasojat. Thelbi është se ne do të donim marrëdhënie më të mira dhe mundësitë për të gjetur interesa të përbashkëta.

Zëri i Amerikës: Disa ekspertë thonë se çështja e Kosovës është një burim i madh i ndikimit rus në Serbi dhe zyrtarët serbë shpesh thonë se Rusia po i mbron interesat e Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. A ka Amerika një kundërpërgjigje për këtë?

Ambasadori Hill: Unë nuk kam parë asgjë që tregon se Rusia po mbron dikë përveç zotit (Vladimir) Putin. Dhe do të isha shumë i kujdesshëm me argumentet se Serbia përfiton nga veprimet e Rusisë. Unë e kuptoj dinamikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e kuptoj thelbin. Por, Serbia duhet të vendosë se çfarë marrëdhëniesh do të ketë me fqinjët e saj dhe si do t’u qaset atyre. Qëndrimi ynë është se Serbia duhet të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja. Nuk mendoj se Serbia duhet ta shikojë Rusinë në raport me Kosovën, apo anasjelltas, por ta shikojë secilën situatë veç e veç. Rusia është larguar kaq shumë nga ajo që ne e quajmë dinjitet ndërkombëtar, aq larg nga vlerat perëndimore, kështu që nëse mendoni se Rusia do të ndihmojë disi me Kosovën – duhet ta mendoni sërish.

Zëri i Amerikës: A besoni se do të vazhdojnë bisedimet Serbi-Kosovë, që janë në vendnumërim dhe kur?

Ambasadori Hill: Për këtë do të vendosin Kosova dhe Serbia. E di që BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të ndryshme, tema për të diskutuar, për të ruajtur vrullin. Nuk është shumë argëtuese të jesh ndërmjetësues, e kam bërë këtë në të kaluarën. Negociatat janë shumë të vështira dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet dhe Serbia dhe Kosova duhet ta respektojnë këtë. Këto çështje nuk janë të lehta, nëse do të ishin, do të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Duhet të kuptojmë vështirësitë, por jo të mbetemi peng i tyre, por të shohim se ku do të donim të arrinim. Duam të ngecim në këtë kohë apo duam një jetë më të mirë për popullin e Serbisë. Por, nuk janë diplomatët amerikanë ata që duhet t’u thonë serbëve se çfarë të bëjnë.

Zëri i Amerikës: Si e komentoni faktin që Serbia po blenë armë nga Rusia dhe Kina?

Ambasadori Hill: Shtetet e Bashkuara kanë një qëndrim për këtë; Serbia duhet të mendojë në mënyrë afatgjatë për një strukturë sigurie që e bën atë të sigurt. Dhe strukturat e përbashkëta të sigurisë janë më të mirat. Mendoj se është shumë e vështirë në shekullin 21 të blesh pak pajisje nga njëra anë, pak nga ana tjetër dhe të besosh se kjo u shërben interesave tuaja të sigurisë. Në fund, e di që serbët nuk pajtohen me këtë, por në fund është mirë që Serbia të jetë në NATO. Do të duhet kohë, e njoh shumë mirë historinë. Historianët shikojnë prapa, diplomatët shohin përpara. Besoj se Serbia do ta kuptojë se mbrojtja e përbashkët, është zgjidhja më e mirë.

Zëri i Amerikës: Organizata ndërkombëtare Freedom House, këtë vit tha se Serbia nuk është një regjim demokratik por një regjim hibrid, se liria e medias është e rrezikuar dhe korrupsioni është i përhapur. Dhe kjo gjendje është regjistruar prej disa vitesh. A jeni dakord me këto gjetje?

Ambasadori Hill: Këto janë çështje komplekse që kanë të bëjnë me situatën e brendshme këtu dhe çfarë po bëhet në lidhje me liritë e medias. Në Shtetet e Bashkuara e vlerësojmë shumë lirinë e medias, faktin që ka mendime të ndryshme për gjithçka. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për demokracinë dhe do të jem i lumtur t’ia paraqes shembullin tonë popullit serb. Besoj se Serbia do të kuptojë se mediat e lira janë pjesë e demokracisë dhe se demokracia është rruga drejt një situate më të mirë ekonomike. Demokracia nënkupton shumësi opinionesh dhe besoj se Serbia duhet të përpiqet për këtë. Por, unë jam një diplomat i huaj, mysafir tek ju, serbët duhet të vendosin për këtë. Nuk do të hyj në atë se a pajtohem me gjetjet e disa organizatave. Unë kam një mendim personal për këtë, por nuk do ta thosha.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë pritshmëri nga qeveria e re e Serbisë?

Ambasadori Hill: Do të doja të shihja se çfarë qeverie do të jetë. Neve në Amerikë na duhen disa muaj për të formuar një qeveri. Unë jam i sapoardhur këtu dhe jam gati për detyrën time, të punoj me qeverinë e re të Serbisë dhe të shoh se nga po shkon ajo. Nëse do të isha qytetar i këtij vendi, gjë që nuk jam, do të isha shumë kureshtar të shishja se në ç’drejtim do të shkojë. Një gjë shumë e rëndësishme ndodhi më 24 shkurt, kur Rusia nisi një agresion ndaj vendit fqinj. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë ose të flasë në favor të Rusisë. Shpresoj që qeveria e re do të marrë një drejtim të caktuar, por është në dorën e atyre që do të formojnë qeverinë. Mezi pres të shoh si do të jetë.

Zëri i Amerikës: A nënkupton ky “drejtim i caktuar” më pak bashkëpunim me Rusinë?

Ambasadori Hill: Nuk do të thosha bashkëpunim, më mirë do të thosha më pak besim në Rusinë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë ose diku tjetër – vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thoni se është i vlefshëm propozimi që Serbia të mbështetet në Rusi për çfarëdo qoftë.

 

Fraksion.com