AktualitetBota+Të fundit

Vazhdon evakuimi i civilëve nga një fabrikë çeliku në Mariupol

Kombet e Bashkuara njoftuan sot (e dielë) se po vazhdon proçesi i evakuimit të rreth 1 mijë civilëve të strehuar në fabrikën e çelikut “Azovstal”, në qytetin ukrainas të Mariupolit.

Zëdhënës humanitar i OKB-së, Saviano Abreu, tha për agjencinë “Associated Press” se operacioni për nxjerrjen e njerëzve nga fabrika e çelikut, po bëhej në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarë ukrainas e rusë.

Krahas 1 mijë civilëve në fabrikën që shtrihet në një sipërfaqe të gjerë, ndodhen edhe rreth 2 mijë luftëtarë ukrainas, e vetmja pjesë e qytetit, që nuk është pushtuar nga rusët. Ndërkohë rreth 100,000 persona besohet se janë ende në Mariupol.

Zoti Abreu e quajti situatën shumë komplekse, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ashtu si evakuimet e mëparshme, suksesi i misionit në Mariupol varet nga Rusia dhe forcat e saj në një seri pikash kontrolli, përpara se të mbërijnë në ato ukrainase.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se janë evakuuar 46 persona, fillimisht një grup prej 25 personash e më pas një tjetër me gjithsej 21 vetë, ndërsa Regjimenti Azov, luftëtarët ukrainas që mbrojnë fabrikën e çelikut, thanë se në mesin e të evakuuarve ishin 20 gra e fëmijë.

Njerëzit që janë larguar nga zonat e pushtuara nga Rusia kanë thënë se në disa raste automjetet e tyre janë qëlluar me armë. Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar vazhdimisht forcat ruse se kanë qëlluar me artileri korridoret e evakuimit, për të cilat të dyja palët kanë rënë dakord që të jenë të sigurta.

Forcat ruse kanë nisur një operacion të madh ushtarak për të marrë kontrollin e rajoneve në Ukrainën jugore e lindore, pas dështimit të tyre për të kapur Kievin. Mariupoli, një qytet-port në detin Azov, është një objektiv kyç për shkak të vendndodhjes së tij strategjike, pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi në vitin 2014.

Evakuimet e zhvilluara të shtunën nga ky qytet ishin të kufizuara. Detajet mbi ecurinë e tyre ishin të paqarta duke pasur parasysh numrin e palëve të përfshira në negociata dhe situatën e paqëndrueshme në terren.

 

Fraksion.com