AktualitetBota+Të fundit

Përkufizimi i termit ‘gjenocid’

Presidenti amerikan Joe Biden i ka quajtur veprimet e Rusisë në Ukrainë gjenocid dhe ekspertët ligjorë thonë se ka aq fakte dhe prova për ta mbështetur këtë pretendim. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets shpjegon arsyet.

Presidenti Biden e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për çështjen e mizorive ruse në Ukrainë.

“Po, e quajta gjenocid, sepse po bëhet gjithnjë e më e qartë se Putini thjesht po përpiqet të fshijë idenë e të qenurit ukrainas”.

Por presidenti francez Emmanuel Macron nuk e përdor këtë term.

“Fjala ‘gjenocid’ ka një kuptim shumë të veçantë dhe u takon gjyqtarëve, jo politikanëve, ta përcaktojnë atë”.

Termi “gjenocid” u krijua në fund të Luftës së Dytë Botërore nga një gjyqtar polak Raphael Lemkin me origjinë hebraike. Studiuesit thonë se termi ka një përkufizim specifik.

“Përkufizimi i gjenocidit, sipas ligjit ndërkombëtar, është shkatërrimi i qëllimshëm, tërësisht, ose pjesërisht i një grupi dhe nëse ky grup vihet në shënjestër ppr shkak të identitetit kombëtar, etnik, racor, apo fetar”, thotë Ernesto Verdeja me Universitetin Notre Dame.

Të provosh gjenocidin do të thotë të provosh se krimet e luftës janë kryer me këtë qëllim. Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare po debatojnë, nëse veprimet ruse kualifikohen si gjenocid. Komentet e presidentit Vladimir Putin mund të kontribuojnë në çështjen ligjore kundër Rusisë, thonë këta ekspertë.

“Ai e ka justifikuar agresionin rus duke refuzuar të pranojë ekzistencën e ukrainasve si grup – me legjitimitet dhe të drejtë për të vetëvendosur”, thotë Daniel Rothenberg me Universitetin Arizona.

Ndërkohë që, as Rusia dhe as Ukraina, nuk janë palë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ekspertët thonë se gjykata ende mund t’i hetojë krimet e Rusisë. Por ata shtojnë, se do të ishte më mirë të krijohej një gjykatë e veçantë për këtë qëllim.

“Nevojitet një gjykatë ndërkombëtare, në mënyrë që e gjithë bota të bashkohet dhe ta dënojë Rusinë për krimet që ka kryer dhe vazhdon të kryejë”, thotë Olesya Stasiuk me Muzeun Kombëtar të Gjenocidit “Holodomor” në Ukrainë që pasqyron krizën e urisë të shkaktuar në Ukrainë nga Stalini në vitet 1932-1933, kur miliona ukrainas vdiqën nga uria.

Ekspertët thonë megjithatë, se nuk ka gjasa që Putini të sillet në gjyq edhe nëse një gjykatë vërteton se veprimet e Rusisë në Ukrainë përbëjnë gjenocid. Ka më shumë gjasa që shkelësit e një rangu më të ulët të kapen dhe të çohen në gjyq.

“Asnjë nga këto gjykata nuk ka në dispozicion një forcë policore. Ato nuk kanë asnjë mënyrë për të arrestuar dikë. Pra, personi duhet të kapet dhe më pas të dorëzohet në gjykatë nga ndonjë aktor tjetër”, thotë Ernesto Verdeja.

Megjithatë, këto vështirësi nuk e kanë ndalur mbledhjen e provave të gjenocidit kundër ukrainasve. Duke hapur hetimet herët, thonë ekspertët, provat dokumentohen menjëherë pas kryerjes së krimeve. Ato gjithashtu mund të bëhen publike sa më shpejt që të jetë e mundur.

 

Fraksion.com