AktualitetPolitikëTë fundit

“Ky Kuvend i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në historik”, Këlliçi: Vota e lirë dhe merita u shkatërruan nga Rama dhe Basha. Opozita e re konfirmohet në këtë sallë

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, kryetar i Komisionit të Rithemelimit deklaroi në nisje të Kuvendit Kombëtar se ky kuvend i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në një kuvend historik. Ai tha se vijmë pas një procesi jo të lehtë, shumë kanë duruar demokratët për të hedhur poshtë atë përpjekje malinje në PD.

Këlliçi theksoi se ne duhet të vendosim sot njëherë e përgjithmonë votën e lirë si themeli. “Vota e lirë dhe merita dy vlera europiane të shkallmuara në këto 8 vite nga dy persona Edi Rama dhe Lulzim Basha”, tha ai.

“Të nderuar delegatë, të ftuar, themelues të PDSH-së, të nderuar anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, shumë i dashur lideri historik i PDSH, profesor, doktor Sali Berisha.

Jemi mbledhur sot këtu me një kuvend që i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në një kuvend historik. Vijmë pas një procesi jo të lehtë, shumë kanë duruar demokratët për të hedhur poshtë atë përpjekje malinje në PD.
Kam parë demokratët në këto muaj dhe në çdo qytet kam folur me ta, i janë nënshtruar shumë proceseve dhe i janë drejtuar disa herë kutive të votimit. Demokratët gjithnjë e më shumë e gjendën forcën e kurajën për të ecur përpara, për të dalë nga gjendja e kënetës ku ishin.
Jo pak herë e kam thënë çfarë shpirti luftarak paskan pasur demokratët?
Çdo shqiptar e kuptoi fare mirë në këto 8 muaj se partinë nuk e bën as vula as godina, por vokacioni dhe idealet. Ky Kuvend i ka të gjitha shanse të kthehet në një Kuvend historik. nëse sot Shqipëria lëngon, nëse sundohet nga një klikë me në krye Edi Ramën, kjo ka ndodhur padyshim dhe për fajin tonë. Ne duhet të mbajmë përgjegjësitë përse e lejuam që ky realitet të ndodhë. Nuk do të kishte ndodhur nëse përballë do të kishte një opozitë të lirë, të pakapur dhe të pakomanduar. Me një opozitë të vërtetë, Edi Rama nuk do të kishte pasur as dhe një shans. Rruga e ndryshimit nuk kalon nga qeveria, janë të njëjtët arrivistë, e njëjta bandë që fusin duart në votën e qytetarëve. I vetmi ndryshim që kemi në dorë dhe do ta bëjmë vjen pas ndryshimit tonë. Nuk do të jemi kurrë një opozitë fasadë. Kjo rrugë do ta ndryshojë njëherë e mirë Shqipërinë. Ky moment nuk është aspak i largët. Ky moment është sot kur pas shumë debateve, jemi sërish këtu bashkë me dorën shtrirë për çdo demokrat. Kjo është opozita e re që konfirmohet sot në këtë sallë.
Ne duhet të vendosim sot njëherë e përgjithmonë votën e lirë si themeli. Vota e lirë dhe merita dy vlera europiane të shkallmuara në këto 8 vite nga dy persona Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ky Kuvend do të jetë një kapitull i ri. Në fund vota do të vendosë për gjithçka. Faleminderit nga zemra çdo demokrati që ka sakrifikuar”, deklaroi Këlliçi.

 

Fraksion.com