AktualitetPolitikëTë fundit

Fjalimi i fortë i Hoxhës: Demokratët s’mund të jenë shërbëtorë të mjerë, as vasalë të përmjerë

Pjesë e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike është bërë edhe analisti i njohur Artan Hoxha, i cili ka mbajtur një fjalim të fortë: Gëzuar dhe e gëzofshim PD-në e rithemeluar. Është një ngjarje e madhe pas një përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd, ku një pakicë uzurpoi për pak kohë të drejtat e shumicës.

Sot jemi këtu për të hapur një kapitull të ri për PD-në. Unë shpresoj dhe besoj te ju se në Kuvendin e sotëm, ju do projektoni trajektoren e 30 viteve të ardhshme. Nëse do e bëni këtë, ky do të jetë një Kuvend historik.

Disa muaj më parë, më 11 dhjetor, ishte një tjetër Kuvend historik, pasi ju u vetëmblodhet si anëtarësi. Ju u vetëmblodhët dhe morët një vendim, mbajtët një qëndrim. Qëndrime të cilat do të mbeten në historinë e kësaj partie.

Ju patët kurajën dhe vetëbesimin t’i thonit edhe Amerikës, linjës zyrtare që qeveris sot atje: gabon kur mbështet pa kriter dhe pa kut këtë qeveri; gabon kur godet pa kriter dhe pa kut këtë opozitë. Ky qëndrim më thotë që ju keni dinjitet, integritet dhe sovranitet.

Vetëm kështu mund të jesh një partner, përndryshe pa këto cilësi je vetëm një shërbëtor i mjerë, një vasal i përmjerë”.

 

FJALA E PLOTË
Ta gëzoni PD-në të rithemeluar. Është një ngjarje e madhe sot, por pas një përpjekje të stërmadhe për të përmbysur dhe zgjidhur një konflikt totalisht absurd, një situatë ku një pakicë uzurpoi për ca kohë të drejtat e një shumice. Falë energjisë tuaj sot jemi këtu për të hapur një kapitull të ri të PD-së pas 30 vitesh e më shumë histori, unë shpresoj dhe besoj tek ju se në kuvendin e 30 prillit ju do të projektoni trajektoren e 30 viteve të ardhshme. Nëse sot do ta bëni këtë ky do të jetë një kuvend historik. Se deri më sot unë numëroj 3 kuvende me të vërtetë historike, që s’do harrohen. Natyrisht është ai i pari i shtatorit 1991, ku u formësua dhe u vulos thelbi i demokratëve, thelbi i PD-së, individi i lirë- familje e shëndoshë; qeveri e vogël, por efikase; taksa të ulëta për sipërmarrjen; ndihmë për të pamundurin; një shtet i ndërtuar mbi demokraci dhe balanca dhe pushtete të ndara dhe të kontrolluara; me fuqi që merren nga votat e lirë dhe e ndershme; një shtet që nuk fut hundët kudo dhe sido, por që shërben me devotshmëri, transparencë dhe ndershmëri. Me një Shqipëri si gjithë Europa, anëtare në NATO dhe në BE. Me një vend amë që ndihmon shqiptarët në rajon, Kosovën e lirë dhe të pavarur, shqiptarët në emigracion dhe diasporën tonë. Një vend dinjitoz, sovran dhe partner. Ky ishte thelbi në themelim të kësaj partie. Fatmirësisht ky mbeti thelbi. Ky është thelbi, ky duhet të jetë thelbi dhe unë besoj që ky do të mbetet thelbi.
Ka dhe një kuvend tjetër historik, disa muaj më parë. Më 11 dhjetor ju u vetëmblodhët si anëtarësi në kundërshtim me parinë tuaj. U vetëmblodhët dhe morët një vendim, mbajtët një qëndrim. Qëndrime të cilat do të mbeten në historinë e kësaj partie dhe ju patët kurajën dhe vetëbesimin t’i thoshit dhe Amerikës, linjës zyrtare që qeveris sot: gabon kur mbështet pa kriter dhe pa kut këtë qeveri; gabon kur godet pa kriter dhe pa kut këtë opozitë. Ky qëndrim më thotë që ju keni dinjitet, integritet dhe sovranitet. Vetëm kështu mund të jesh një partner, përndryshe pa këto cilësi, je vetëm një shërbëtor i mjerë, një vasal i përmjerrë. (I bie podiumit) Ne nuk jemi kështu! Do mbetet në histori, do ta kujtojmë si gallatë, kuvendin e 18 dhjetorit të 2000 karrigeve me 5 mijë veta, por kujdes ishte justifikimi për të vijuar uzurpimin. Sado ta kujtojmë me gallatë ishte një dhembje dhe kosto e madhe të cilën duhet ta riparojmë dhe po riparohet falë rikthimit tek anëtare dhe te vota.

 

Një PD me anëtarë aktivë, me seksione aktive, me degë vetëaktive, me Këshill Kombëtar, Kryesi, Departamente aktive, nuk është diçka që po e bëjmë sot në rithemelim. E kemi pasur në origjinë, anëtarë vetëaktivë, seksione vetëaktive, degë vetëaktive. Ne nuk prisnim në degë se çfarë do na thoshte Tirana për të marrë vendimin. PD po i rikthehet përmes mekanizmit një anëtar, një votë, këtij tipari të parë të saj. Unë besoj shumë se me mekanizmin një anëtar, një votë ju do ta shndërroni votën e brendshme partiake nga një numërues që ndan, në një emërues që bashkon.

Me këtë model që ju do të ecni përpara, besoj se ju do të zgjidhni me mekanizmin e votës dhe mençurinë e debatit politik shumë dilema. Këto dilema nuk do të jenë të pakta, do duhet të gjeni ekuilibrin mes liderit dhe kolektivit, mes denoncimit dhe propozimit. Do duhet të gjeni ekuilibrin mes demonstratës dhe bashkëbisedimit me shqiptarët dhe të tjera si këto. Por sot ju jeni në rrugën e mbarë. Kam kënaqësinë ta konstatoj, ta them dhe të jem bashkë me ju në rrugëtimin e ardhshëm.
Përgatitje sa më shpejt për betejat e ardhshme, në 2023, 2025, e më tej me fitore!”, deklaroi Hoxha.